Pas përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, miliona myslimanë në të gjithë botën festojnë sot Fitër Bajramin.
Në Kosovë, ceremonia kryesore e faljes së Bajramit u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Në mesazhin e urimit, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, tha se “të gjithë besimtarët i gëzohen kësaj feste, ngase vjen pas një sakrifice të madhe”. “Është një manifestim falënderimi për Zotin, pas agjërimit të muajit të bekuar të Ramazanit”, tha Tërnava.

Gjatë 30 ditëve të Ramazanit, myslimanëve u kërkohet të agjërojnë, të tregojnë mirësi dhe durim, si dhe t’i forcojnë marrëdhëniet e tyre me Zotin.
Fitër Bajrami që pason, zgjat tri ditë.
Ndërkohë besimtarët i ka uruar edhe Presidentja Osmani duke thënë se festa e Fitër Bajramit është përkushtim ndaj besimit, sakrificës dhe vetëmohimit.
“Solidariteti ndërnjerëzor, i cili e shoqëron muajin e bekuar të Ramazanit është trashëgimi e jona e çmuar.
Festa e Fitër Bajramit është përkushtim ndaj besimit, sakrificës dhe vetëmohimit.
Lutjet dhe sakrifica juaj përgjatë muajit të Ramazanit u pranofshin. Ju përcjelltë shëndeti, mbarësia dhe begatia në familjet tuaja!
Në këtë ditë feste, të gjithë duhet ta hapin zemrën, ta shtrijnë dorën e mirësisë dhe bujarisë për ata që kanë nevojë.
Qoftë kjo ditë e mbushur me gëzim të pakufishëm, paqe, tolerancë dhe respekt të ndërsjellë!
Urime dhe me fat Fitër Bajramin!”, shkroi ajo në rrjetet sociale./Katror.info