Jeff Bezos themeloi Amazon në vitin 1994 dhe deri në mesin e 2021 ishte CEO i kompanisë, duke e udhëhequr atë përmes procesit nga një librari e vogël online në një gjigant teknologjik, vlera e të cilit tejkaloi një trilion dollarë. Kur mori vendimin për t’u larguar nga pozicioni kryesor i kompanisë (edhe pse mbeti kryetar ekzekutiv), shumë u habitën dhe duke qenë se u fol shumë për jetën e tij private dhe marrëdhënien e tij me Lauren Sánchez, dukej se për Bezos , pas një periudhe pune shumëvjeçare, kishte ardhur koha për t’u çlodhur dhe për të shijuar jetën.
Megjithatë, edhe pse fotot e shumta të një Bezos të shëndoshë duke shijuar pushimet verore me gjysmën e tij më të mirë (të re) na treguan vërtet sesi ai gjeti kohë për veten, kjo nuk do të thotë se puna e tij mbeti në prapavijë. Pikërisht e kundërta.
Si i ftuar në podkastin e Lex Friedman, ai shpjegoi arsyet e largimit nga pozicioni kryesor në Amazon dhe tha se kurrë nuk ka punuar më shumë. Dhe tani ai ia ka kushtuar plotësisht kohën dhe njohuritë e tij kompanisë Blue Origin. Bëhet fjalë për një kompani hapësinore që ai e themeloi më shumë se 20 vjet më parë dhe në raketën e së cilës ishte tashmë në hapësirë dhe tani me përfshirjen e tij dëshiron t’i japë energji të re dhe një ndjenjë urgjence biznesit të Blue Origin. Punoj shumë dhe shumicën e kohës më pëlqen, por ka edhe ditë vërtet të vështira, shtoi ai dhe shpjegoi se si, nëse do të kishte mbetur CEO i Amazon, nuk do të kishte mundur t’i përkushtohej plotësisht Blue Origin sepse ai ndjen detyrë dhe përgjegjësi ndaj aksionarëve të shoqërisë.
Edhe pse nuk e përmendi Elon Muskun, me të cilin nuk ka marrëdhëniet më të mira, duket se në disa nga deklaratat e tij ai kritikoi kreun e Tesla-s dhe themeluesin e SpaceX. Një nga kritikat i referohet pikërisht angazhimit në disa kompani. Gjegjësisht, pas marrjes së Twitter-it, aksionarët e Tesla-s fajësuan Elon Musk për zhvendosjen e fokusit të tij në atë rrjet social dhe për neglizhencën e Tesla-s, gjë që Bezos nuk donte ta bënte me Amazon dhe për këtë arsye dha dorëheqjen si CEO.
Një tjetër kritikë ka të bëjë me mënyrën se si ata mendojnë për të ardhmen e njerëzimit. Musk, siç dihet, ëndërron të kolonizojë Marsin. Ai beson se një ditë njerëzit mund të ndërtojnë banesa në Planetin e Kuq dhe të jetojnë në të. Bezos nuk pajtohet me këtë dhe beson se planetët jashtë Tokës thjesht nuk i kanë kushtet për jetë, por kjo nuk do të thotë se ai mendon se ne duhet të mbetemi të lidhur ekskluzivisht me planetin tonë.
Bezos, në fakt, beson se e ardhmja qëndron në stacionet e mëdha hapësinore që mund të tërheqin burime nga planetë të tjerë, dhe në të cilat do të mbizotëronin kushtet perfekte (përfshirë gravitetin) për jetën.
Është e qartë se mendimet e tyre janë ende vetëm një shkronjë në letër dhe edhe nëse fillon realizimi i ideve të tyre, ndoshta do të duhen disa dekada deri atëherë./Katror.info