Bill Gates, një nga njerëzit më të pasur dhe më me ndikim në botë, ka treguar se një pjesë të madhe të suksesit ia dedikon mënyrës se si është rritur nga prindërit, sidomos nga babai i tij, William Gates Sr.
Në një intervistë për CNBC Make It, Gates tha se babai i tij besonte fort në një metodë të quajtur “Dashuri dhe Logjikë”, një filozofi prindërimi që vendos rregulla të qarta dhe i zbaton ato me qetësi e empati.
“Kurrë nuk panikosej”
“Për mua ishte e qartë se bota ishte një vend që ai e kishte nën kontroll. Ai kurrë nuk panikosej, kurrë nuk e përdorte emocionin kundër meje, edhe kur isha tepër kokëfortë,” tha Gates.
Babai i tij shpesh qetësonte tensionet mes Gates-it të vogël dhe nënës së tij, Mary. Me ton të qetë, ai vendoste rregullin në shtëpi, pa bërtitje dhe pa ndëshkime të rënda, shkruan CNBC, transmeton Katror.info.
Një fëmijë i vështirë
Vetë Gates e pranon se ishte fëmijë problematik. Kalonte orë i mbyllur në dhomë duke lexuar dhe shpesh përplasej me nënën e tij. Madje, prindërit e dërguan edhe te një terapist nga shqetësimi për sjelljen e tij.
“Jam në luftë me prindërit e mi,” kishte thënë ai në atë kohë.
Megjithatë, qetësia e babait bëri që me kalimin e kohës Gates të mësonte si të kontrollonte shpërthimet e veta emocionale.
Përjashtimi i rrallë
Në kujtimet e tij, Gates rrëfen edhe një rast kur babai i humbi durimin. “Gjatë një darke isha aq i bezdisshëm, saqë më hodhi një gotë ujë në fytyrë,” shkruan ai. Ky reagim i rrallë e tronditi, pikërisht sepse nuk ishte aspak në natyrën e babait të tij.
Roli i nënës
Ndërsa babai përfaqësonte qetësinë, nëna e Gates shpesh shpërthente më me pasion. Por edhe kjo ndikoi pozitivisht te ai.
“Unë doja aq shumë të arrija sukses, vetëm që ajo të mos zhgënjehej nga unë,” tha Gates.
Prindërit gjithashtu i dhanë liri të eksploronte interesat – duke lexuar orë të tëra apo duke shkuar në aventura me miqtë.
Sot, ai e përdor të njëjtën filozofi
Më vonë, Gates e zbatoi të njëjtën qasje edhe me tre fëmijët e tij, së bashku me Melinda-n. Ai madje e renditi librin “Parenting With Love and Logic” ndër 10 librat e tij të preferuar të të gjitha kohërave.
“Ky libër ka qenë një udhëzues i paçmuar për ne, sidomos kur bëhej fjalë për konfliktet e pashmangshme mes prindërve dhe fëmijëve,” shkroi ai. /Katror.info
Burimi: CNBC
Përktheu dhe përshtati: Katror.info