Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka hapur sot edicionin e 22-të të Javës së Bibliotekës, që këtë vit zhvillohet për herë të parë me përmasa ndërkombëtare. Ngjarja, e cila do të zgjasë deri më 12 tetor, pritet të shndërrohet në një qendër të shkëmbimit profesional, kulturor e shkencor ndërmjet bibliotekarëve, studiuesve dhe dashamirëve të librit nga Kosova dhe Evropa.
Në këtë edicion marrin pjesë ekspertë nga bibliotekat kombëtare të rajonit dhe vendeve evropiane, të cilët do të sjellin përvoja unike dhe praktika bashkëkohore për zhvillimin e bibliotekave në epokën digjitale.
Në hapje të Javës së Bibliotekës, u lansua rrjeti bibliotekar i Kosovës, që lidh 48 biblioteka në një sistem të unifikuar, duke e bërë më të lehtë qasjen në fondet e tyre. Po ashtu, u hap ekspozita “Trashëgimia orientale në Kosovë”, ku janë prezantuar dorëshkrime dhe botime të rralla nga fondet e Bibliotekës Kombëtare.
Gjatë javës do të zhvillohen sesione shkencore që trajtojnë tema si digjitalizimi, ruajtja e trashëgimisë kulturore, roli i teknologjisë dhe identitetit kulturor, promovimi i leximit dhe përkthimit të letërsisë shqipe, si dhe të drejtat e autorit. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe ndikimit të Inteligjencës Artificiale në bibliotekat moderne, për çka do të diskutojnë ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë.
Programi përfshin gjithashtu promovimin e katalogut “Thesare të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës” dhe një përkujtim të veçantë për shkrimtarin Martin Camaj, në 100-vjetorin e lindjes së tij.
Përveç aktiviteteve profesionale, Java e Bibliotekës do të sjellë edhe një program të pasur kulturor e letrar me lexime, promovime librash, diskutime me autorë e përkthyes, si dhe shfaqje filmash nga kinematografia kosovare çdo mbrëmje në ambientet e Bibliotekës Kombëtare.
Aktivitetet e kësaj jave do të zhvillohen jo vetëm në Prishtinë, por edhe në qytetet e Prizrenit, Pejës, Gjakovës dhe Suharekës, ku do të mbahen ngjarje të posaçme për fëmijë, të rinj dhe lexues të apasionuar.
Me këtë edicion, Biblioteka Kombëtare e Kosovës synon të forcojë bashkëpunimin ndërinstitucional, të promovojë kulturën e leximit dhe të afirmojë rolin e bibliotekave si qendra të dijes dhe inovacionit në vend dhe më gjerë./Katror.info