Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka miratuar Udhërrëfyesin Strategjik për Menaxhimin dhe Mbikëqyrjen e Rreziqeve të Lidhura me Klimën dhe Mjedisin në sektorin financiar. Dokumenti, i cili do të zbatohet gjatë periudhës 2025-2027, synon të krijojë një kornizë rregullative dhe mbikëqyrëse që adreson rreziqet klimatike dhe mjedisore, në përputhje me Planin Strategjik të BQK-së, shkruan Katror.info.
Në komunikatën e saj, BQK-ja theksoi se ky udhërrëfyes reflekton zotimet e Kosovës si nënshkruese e Deklaratës së Sofjes dhe kandidat potencial për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Përveç kësaj, dokumenti është hartuar duke ndjekur standardet më të mira ndërkombëtare dhe evropiane për identifikimin, vlerësimin dhe menaxhimin e rreziqeve klimatike dhe mjedisore nga institucionet financiare.
Udhërrëfyesi është hartuar me mbështetjen e Qendrës Këshilluese për Sektorin Financiar (FinSAC) të Bankës Botërore dhe përfshin instrumente për financim të qëndrueshëm dhe standarde të qeverisjes mjedisore, sociale dhe të korporatave (ESG). BQK-ja vuri në dukje se ky angazhim është pjesë e përpjekjeve të saj për të garantuar stabilitet financiar dhe për të rritur gatishmërinë ndaj sfidave klimatike.
Në linjë me këtë strategji, BQK ka ndërmarrë disa hapa konkretë. Në prill të vitit 2024, miratoi një udhëzues për raportimin e ekspozimeve kreditore të lidhura me kostot e tranzicionit mjedisor, duke përfshirë të dhëna për ndikimin e mundshëm të këtyre rreziqeve në sektorin bankar. Gjithashtu, BQK ka avancuar politikat e saj investuese për të përfshirë instrumente të financimit të qëndrueshmërisë dhe është anëtarësuar në Rrjetin e Bankimit dhe Financave të Qëndrueshme (SBFN).
“BQK-ja falënderon Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore për mbështetjen e vazhdueshme në funksion të ngritjes së kapaciteteve dhe avancimit të kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse,” thuhet në komunikatën e bankës qendrore.
Udhërrëfyesi Strategjik i BQK-së për sektorin financiar është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të qëndrueshmërisë klimatike dhe përputhshmërisë me standardet ndërkombëtare, duke kontribuar në zhvillimin afatgjatë të ekonomisë së Kosovës./Katror.info