Regjisori i famshëm Quentin Tarantino thuhet se dëshiron t’i japë aktorit legjendar Bruce Willis një mundësi për të bërë një paraqitje të fundit në film.
Aktori legjendar Bruce Willis së fundmi doli në pension pasi u diagnostikua me afazi.
Edhe pse mendohej se ai nuk do të shihej më në ekranin e madh, regjisori Quentin Tarantino tani thuhet se dëshiron t’i japë Willis një paraqitje të fundit në film.
Në fillim të këtij viti, u konfirmua se aktori ishte diagnostikuar me demencë frontotemporale – një formë e pazakontë e sëmundjes që “shkakton probleme me sjelljen dhe gjuhën”. Para kësaj, ai u diagnostikua me afazi, gjë që e detyroi të tërhiqej nga profesioni i tij.
Megjithatë, The Daily Express tani po raporton se Tarantino – i cili është duke përgatitur filmin e tij të ardhshëm The Movie Critic – do të donte Willisin për një rol të vogël në film. Dyshja kanë punuar më parë së bashku në Pulp Fiction.
Edhe pse thuhet se ai nuk ka kontaktuar ende me familjen e aktorit, ai planifikon të respektojë dëshirat e tyre dhe se nëse ata thonë se Willis nuk është shumë mirë për të marrë pjesë, ai mund të fusë një klip nga një prej filmave të mëparshëm të aktorit në filmin e tij.
Filmi i ri i Tarantinos do të zhvillohet në Kaliforninë Jugore në vitin 1977. Personazhi kryesor është një kritik filmi i jetës reale, i cili shkroi për një revistë pornografike, të cilën regjisori e lexoi ndërsa rritej dhe punonte si shitës i makinave. /Katror.info