Janë përcaktuar oraret e ndeshjeve të turneut IHF Trophy për Zonën Evropiane, për hendbollistet deri në 17 vjet, i cili nis të mërkurën, më 26 nëntor, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Në këtë turne marrin pjesë Kombëtarja e Kosovës U17, si dhe përfaqësueset e Azerbajxhanit, Belgjikës, Bullgarisë dhe Britanisë së Madhe. Pritet një garë e fortë dhe dinamike, meqë fituesi i Zonës Evropiane siguron kualifikimin në IHF Trophy Intercontinental, e më pas fituesi i fazës ndërkontinentale avancon në Kampionatin Botëror të kësaj grupmoshe.
Ndeshjet e ditës së parë:
Britania e Madhe – Azerbajxhani (15:00)
Kosova – Bullgaria (17:00)
Turneu për U17 zhvillohet çdo ditë deri të dielën, më 30 nëntor, me sistem “secili me secilin”, ndërsa ekipi me më shumë pikë shpallet kampion i Zonës Evropiane. Kombëtarja e Kosovës U17 është grumbulluar sot në Prishtinë për përgatitjet e fundit.
Ndërkohë, nga 2 deri më 6 dhjetor, po në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, mbahet edhe IHF Trophy për hendbollistet deri në 19 vjet. Në këtë turne marrin pjesë Kosova U19, Belgjika, Bullgaria, Gjeorgjia dhe Britania e Madhe. Edhe ky kompeticion shërben si fazë kualifikuese për Botërorin e grupmoshës U19./Katror.info
















