Caritas-i Zviceran në Kosovë ka shpallur hapjen e garës së parë për artikuj gazetaresk kushtuar bujqësisë, në kuadër të aktivitetit “Agro Media Partnership” që zhvillohet brenda programit “Fuqizimi i Ekonomive Rurale në Bujqësi” (EREA), të financuar nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim, shkruan Katror.info.
Kjo garë synon të nxisë raportimin cilësor për sektorin bujqësor në Kosovë, të motivojë gazetarët profesionistë, freelancer-at dhe studentët e gazetarisë për të trajtuar tema të rëndësishme për komunitetin bujqësor, si dhe të rrisë ndërgjegjësimin publik për rolin e fermerëve dhe rëndësinë e bujqësisë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Temat e preferuara dhe pjesëmarrësit
Në fokus të garës janë temat që shpesh mbeten të nënpërfaqësuara në media, si: bujqësia organike, teknologjitë inovative bujqësore, sfidat e agrobizneseve dhe fermerëve, roli i grave në bujqësi, si dhe këshillimi profesional mbi praktikat e qëndrueshme bujqësore. Megjithatë, aplikuesit mund të trajtojnë edhe tema të tjera relevante brenda sektorit bujqësor.
Pjesëmarrja është e hapur për gazetarë/e të medieve tradicionale dhe atyre të pavarura, freelancer-ë, si dhe studentë/e të gazetarisë. Çdo aplikant ka të drejtë të paraqesë deri në dy punime: një video-artikull dhe një artikull të shkruar.
Kushtet dhe afatet e aplikimit
Për të marrë pjesë, punimet duhet të jenë publikuar ose planifikuar për publikim në periudhën 1 janar – 10 gusht 2025. Artikujt e shkruar nuk duhet të kalojnë 1000 fjalë, ndërsa video-materialet nuk duhet të jenë më të gjata se 7 minuta.
Aplikimet pranohen nga data 1 korrik deri më 10 gusht 2025, përmes adresës elektronike: [email protected], me subjektin: “Emri Mbiemri – Agro Competition – EREA”. Fituesit do të shpallen më 29 gusht 2025.
Çmime për katër fitues
Gara do të shpërblejë katër artikuj më të mirë, të ndarë në dy kategori:
🎥 Video-artikuj:
Vendi i parë – 600 €
Vendi i dytë – 400 €
✒️ Artikuj të shkruar:
Vendi i parë – 600 €
Vendi i dytë – 400 €
Punimet do të vlerësohen nga një juri profesionale e pavarur, sipas kritereve të qarta si: origjinaliteti, relevanca për komunitetin bujqësor, thellësia e trajtimit, kreativiteti dhe cilësia teknike (për videot).
Rreth projektit “Agro Media Partnership”
Kjo nismë është pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar cilësinë, qasjen dhe ndikimin e informacionit bujqësor në media. Përmes përfshirjes së gazetarëve në sektorin bujqësor, synohet të ndërtohet një rrjet bashkëpunimi afatgjatë ndërmjet profesionistëve të medias dhe komuniteteve rurale, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të tregut bujqësor dhe të informimit publik.
Gara për Agro-Gazetari përfaqëson një hap konkret drejt përmirësimit të komunikimit në bujqësi dhe përforcimit të rolit të medias në ndërtimin e një diskursi të balancuar për këtë sektor jetik./Katror.info