Katror Media është përzgjedhur si përfituese e projektit Human Rightivism, i mbështetur nga Fondi për Zhvillim të Komunitetit (CDF) dhe Ambasada e Suedisë në Prishtinë. Në kuadër të këtij projekti, së shpejti Katror Media do të publikojë një seri videosh dhe infografikash informuese për të drejtat e punëtorëve.
CDF ka nënshkruar marrëveshje granti me 32 organizata të shoqërisë civile nga e gjithë Kosova, në kuadër të projektit HumanRightivism, i mbështetur nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë.
Ky projekt synon të fuqizojë organizatat që promovojnë të drejtat e njeriut, duke përfshirë shëndetin mendor, të drejtat në punë, fuqizimin e të rinjve, barazinë gjinore dhe përfshirjen sociale. Organizatat përfituese do të zbatojnë iniciativa që synojnë të sjellin ndryshim pozitiv në komunitetet e tyre, raporton Katror.info.
“Jemi të lumtur që kemi nisur këtë udhëtim të përbashkët drejt një shoqërie më të drejtë, më të barabartë dhe më gjithëpërfshirëse,” deklaroi CDF.
Mbështetja e këtyre organizatave përmes granteve pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe në ndërtimin e një mjedisi më të favorshëm për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut në Kosovë.
Projekti HumanRightivism është një nga iniciativat më gjithëpërfshirëse të këtij lloji në vend, dhe bashkëpunimi me Ambasadën e Suedisë thekson përkushtimin ndërkombëtar për zhvillimin demokratik dhe social të Kosovës./Katror.info