Pse duket sikur faqet tuaja të preferuara po bien nga sistemi më shpesh?
Nëse keni hasur probleme me faqet tuaja të preferuara kohët e fundit, nuk jeni të vetmit.
Të martën, kompania e infrastrukturës së internetit Cloudflare u përball me një ndërprerje që preku përkohësisht një gamë të gjerë shërbimesh online – nga Spotify te ChatGPT dhe deri te platforma Truth Social e presidentit Donald Trump. Kjo është vetëm e fundit në një seri ndërprerjesh të mëdha që kanë trazuar internetin muajt e fundit, shkruan CNN, transmeton Katror.info.
Vetëm pak javë më parë, një problem në Amazon Web Services ndërpreu rutinën e përditshme të miliona përdoruesve, duke i lënë disa njerëz të paaftë të bënin edhe detyrat më të thjeshta, si porositja e kafesë apo kontrollimi i pajisjeve të shtëpisë së mençur. Pak ditë më vonë, edhe Microsoft Azure u godit nga një tjetër ndërprerje.
Ekspertët thonë se këto ngjarje janë pasojë e një kombinimi faktorësh: varësia gjithnjë e më madhe e shoqërisë nga shërbimet digjitale, fakti që infrastruktura kryesore e internetit është përqendruar te disa kompani të vetme dhe prirja e njerëzve për të ankuar menjëherë online kur teknologjia dështon. Dhe mbi të gjitha, këto episode tregojnë se as gjigantët e teknologjisë nuk janë imunë ndaj problemeve teknike.
“Pak rëndësi ka sa i madh apo sa i sofistikuar është ofruesi,” thotë Eileen Haggerty nga Netscout. “Ndërprerjet teknike janë probleme tejet të zakonshme.”
Çfarë ndodhi me Cloudflare?
Cloudflare sqaroi se ndërprerja nuk lidhej me një sulm kibernetik, por me një problem teknik. Një “skedar konfigurimi”, i krijuar për të menaxhuar trafikun e rrezikshëm, u rrit përtej madhësisë së pritur dhe shkaktoi një defekt që rrëzoi pjesë të sistemit.
CTO i kompanisë, Dane Knecht, tha se një ndryshim rutinë në konfigurim aktivizoi një gabim që “u përhap duke shkaktuar degradim të gjerë në rrjet”.
“Puna për të parandaluar përsëritjen ka nisur tashmë,” shkroi ai në X, “por e di që sot shkaktuam shumë telashe.”
Edhe ndërprerja e Amazon-it doli të ishte rezultat i një defekti të vogël: dy sisteme të automatizuara u përpoqën të përditësonin të njëjtat të dhëna në të njëjtën kohë.
Ekspertët thonë se dikur ndërprerjet e IT-së ishin edhe më të shpeshta. “Para 20 vitesh, të kaloje një javë pa një ndërprerje të shërbimeve IT ishte e pazakontë,” kujton Mike Chapple nga Universiteti i Notre Dame. Por sot, kur miliona përdorues varen nga të njëjtët tre-gjigantë — Amazon, Microsoft dhe Google — efekti i çdo problemi shumëfishohet.
Vetëm të martën, Downdetector regjistroi mbi 2.1 milion ankesa për probleme në internet.
Cloudflare, nga ana tjetër, përpunon mesatarisht 81 milion kërkesa HTTP në sekondë — kështu që çdo ndërprerje, sado e vogël, ka pasoja të mëdha.
A po ndodhin me të vërtetë më shumë ndërprerje?
Tre ndërprerje të mëdha brenda një muaji mund të duken shqetësuese, por ekspertët thonë se është kryesisht rastësi. Megjithatë, ndërprerjet ndjehen më të shpeshta sepse ndikojnë në një numër gjithnjë e më të madh faqesh e aplikacionesh.
Sipas Cisco ThousandEyes, numri total i ndërprerjeve globale ka mbetur relativisht i qëndrueshëm: 12 në vitin 2025 (deri tani), 23 në 2024, 13 në 2023, 10 në 2022.
Por rritja e varësisë nga shërbimet cloud i bën këto incidente shumë më të dukshme dhe më të dëmshme. Shumë prej problemeve të këtij viti kanë të bëjnë me defekte që përhapen automatikisht në sisteme të mëdha, me gabime të fshehura ose me ndryshime konfigurimi që shkaktojnë efekte zinxhir.
Dhe ekspertët janë të njëzëri: do të ndodhë sërish.
“Asnjë biznes nuk mund të thotë: ‘Kjo nuk mund të na ndodhë neve’,” shprehet Haggerty. “Sepse mund t’i ndodhë kujtdo.” /Katror.info
Burimi: CNN
Përktheu dhe përshtati: Katror.info

















