Nëse përdorni një VPN për të ruajtur privatësinë, mund të keni dëgjuar termin “kill switch”, një funksion shtesë sigurie që shpesh neglizhohet, por që mund të jetë thelbësor për mbrojtjen tuaj online.
Një VPN (Virtual Private Network) kodon dhe ridrejton trafikun tuaj të internetit përmes serverëve të saj, duke fshehur historikun e shfletimit dhe IP adresën tuaj.
Kjo është veçanërisht e dobishme për ata që duan të shmangin kufizimet në internet ose të mbrojnë aktivitetet e tyre nga ofruesit e shërbimit (ISP).
Megjithatë, nëse lidhja me serverin e VPN-së ndërpritet, është i pambrojtur, duke ekspozuar të dhënat dhe aktivitetin tuaj online. Pikërisht këtu hyn në lojë funksioni “kill switch”.

Ky funksion ndërpret automatikisht internetin tuaj sapo VPN-i të shkëputet, duke parandaluar rrjedhjen e informacionit. Pasi lidhja rikthehet, interneti hapet përsëri.
Sipas ekspertëve të sigurisë, edhe pse “kill switch” nuk është funksioni më i rëndësishëm i një VPN-je, ai është jetik për përdoruesit që e vlerësojnë privatësinë mbi gjithçka tjetër.
Jo të gjitha shërbimet VPN e ofrojnë këtë funksion, dhe në disa raste ai është i çaktivizuar si parazgjedhje, ndaj përdoruesit duhet ta ndezin manualisht.
Për shembull, në Surfshark VPN, “kill switch” mund të aktivizohet nga menuja e “Settings” nën “VPN Settings”, ku përdoruesit mund të zgjedhin mes një versioni “soft” ose “strict”.
Ekspertët rekomandojnë që funksioni “kill switch” të jetë gjithmonë aktiv, pasi një shkëputje e papritur e VPN-së mund të ndodhë pa u vënë re – dhe mund të rrezikojë sigurinë e të dhënave personale. /AP/Katror.info
















