Presidenti amerikan Donald Trump mund të nominohet për Çmimin Nobel për Paqen nga një nga rivalet e tij më të betuara, Hillary Clinton.
Kundërshtarja demokrate e Trumpit tha se ajo do ta nominonte me dëshirë atë për çmimin e shquar nëse ai mund t’i jepte fund luftës në Ukrainë pa lejuar presidentin rus Vladimir Putin të merrte territor nga fqinji i saj, përcjell Kultplus.
“Sinqerisht, nëse ai mund t’i jepte fund kësaj lufte të tmerrshme, nëse ai mund ta përfundonte atë pa e vendosur Ukrainën në një pozicion ku ajo duhej t’ia lëshonte territorin e saj agresorit, nëse ai mund t’i kundërvihej Putinit – diçka që nuk e kemi parë, por ndoshta kjo është mundësia – nëse presidenti Trump do të ishte arkitekti i kësaj, unë do ta nominoja atë për një Çmim Nobel për Paqen”, tha Clinton.
“Sepse qëllimi im këtu është të mos lejoj kapitullimin ndaj Putinit”, shtoi ajo.
Oferta e papritur u shfaq ndërsa Trump ishte tashmë në rrugë për në Alaska për bisedimet historike me homologun e tij rus, ku shpreson t’i japë fund konfliktit trevjeçar në Ukrainë.
Trump ka thënë se është i bindur se presidenti rus dëshiron të bëjë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, duke e vendosur mundësinë e dështimit në vetëm 25%.
Ndryshe, oferta e sugjeruar e Clinton është veçanërisht tronditëse duke pasur parasysh vitet e sulmeve të ashpra që ajo ka bërë kundër rivalit që e mundi papritur në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. /Katror.info