Kombëtarja e Kosovës sot mban stërvitjen e radhës në prag të ndeshjeve të nëntorit.
Dardanët më 15 nëntor luajnë në udhëtim te Sllovenia, derisa tri ditë më vonë në ‘Fadil Vokrri’, Kosova sfidon Zvicrën, ndeshje këto që do të luhen në kuadër të kualifikueseve të Kupës së Botës 2026, shkruan RTK.
Kosova dje ka zhvilluar stërvitjen e parë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda.
Në seancë e parë morën pjesë dhjetë futbollistë: Visar Bekaj, Faton Maloku, Ilir Krasniqi, Leard Sadriu, Mërgim Vojvoda, Veldin Hoxha, Valon Berisha, Milot Rashica, Edon Zhegrova dhe Fisnik Asllani, kurse, pjesa tjetër e lojtarëve të ftuar nga përzgjedhësi Foda bëri rigjenerim në palestër në hotel, pas ndeshjeve të zhvilluara me klubet e tyre përkatëse gjatë fundjavës.
Stërvitja e radhës zhvillohet sot në orën 11:15 në ‘Fadil Vokrri’.
Pas shtatë ndeshjeve të zhvilluara, Kosova ndodhet në vendin e dytë të grupit me shtatë pikë, tri më pak se Zvicra lidere. Sllovenia renditet e treta me tri pikë, ndërsa Suedia është e fundit me një pikë.
Vendi i parë i grupit siguron kualifikimin direkt në Botëror, ndërsa skuadra e vendit të dytë do të ketë mundësinë të garojë në fazën e ‘play-off’-it. Për të siguruar ‘play-off’-in Kosovës i duhet vetëm një pikë, derisa ekzistojnë edhe mundësitë e kualifikimit direkt, por gjithçka do të vendoset në dy xhirot e fundit të këtij grupi. /Katror.info
















