Guvernatori i Distriktit Shqipëri-Kosovë 2485, Butrint Batalli, është takuar me ekipin e lartë drejtues të Distriktit Rotarian 2451 Egjipt dhe klubet rotariane gjatë një vizite të Batallit me delegacionin e tij në Kajro, Egjipt.
Delegacioni u prit Guvernatori Sherif Adeeb, i cili thuhet se ka shprehur “entuziazmin e madh” për fillimin e këtij partneriteti.
“Ky është një moment historik për vendet tona dhe për Distriktet përkatëse Rotariane D2451 dhe D2485. Ne e përqafojmë me gjithë zemër fillimin e këtij bashkëpunimi dhe presim me padurim mundësitë që do të sjellë. Kemi parashikuar një sërë fushash ku mund të fillojmë partneritetin tonë dhe parashikojmë një të ardhme të ndritur për të,” ka thënë Adeeb.
Sipas njoftimit të Distriktit Shqipëri Kosovë, pika kryesore e vizitës ishte nënshkrimi i një Memorandumi Mirëkuptimi (MoU) mes dy Distrikteve, i cili zyrtarizon një partneritet formal dhe krijon themelet për projekte të përbashkëta, shkëmbime kulturore dhe promovimin e vlerave të Rotary përtej kufijve. Ceremonia e binjakëzimit simbolizoi gjithashtu angazhimin afatgjatë për bashkëpunim dhe mbështetje të ndërsjellë midis dy distrikteve, thuhet në njoftim.
“Këto marrëveshje janë më shumë sesa dokumente; ato simbolizojnë vlerat tona të përbashkëta, vizionin tonë dhe angazhimin tonë për të nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar. Ato theksojnë trashëgiminë e pasur historike dhe kulturore që na lidh dhe parimet e qëndrueshme të Rotary për paqen, unitetin dhe shërbimin,” deklaroi guvernatori Batalli./Katror.info