Një sasi e konsiderueshme mbathjesh sportive për meshkuj është ndaluar dhe asgjësuar nga Dogana e Kosovës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, pasi u konstatua se ishin të falsifikuara dhe cenonin të drejtën e pronësisë intelektuale.
Mallrat, që mbanin shenjat dalluese të disa prej brendeve më të njohura ndërkombëtare, u identifikuan gjatë një kontrolli rutinë në ZBD Aeroport – Cargo, thuhet në komunikatën e Doganës në Facebook.
Pas ekzaminimit të detajuar, u vërtetua se ato ishin kopje dhe për rrjedhojë u shkatërruan në mënyrë të kontrolluar, nën mbikëqyrjen e zyrtarëve doganorë.
“Ndaj subjektit përgjegjës janë ndërmarrë masat ligjore përkatëse, të parapara me legjislacionin në fuqi, për përfshirje në tregti të ndaluar dhe cenim të pronësisë intelektuale.
Dogana qëndron e vendosur në luftën kundër kontrabandës dhe falsifikimeve, duke siguruar mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe konsumatorëve”./EO/Katror.info