Ishte gushti i vitit 1935 që Toyota prodhoi automjetin e saj të parë, kamionçinën G1, e cila u montua në divizionin e automobilave Toyoda Automatic Loom Works.
Kjo kompani origjinale u themelua në vitin 1926 dhe prodhoi tezgjah automatikë, përpara se divizioni i makinave të ndahej në 1937 për t’u bërë Toyota Motor Corporation që njohim sot. Është interesante që Toyota Industries ende prodhon tezgjah automatikë…

Këto ditë, prodhuesi japonez i automjeteve po feston një moment të rëndësishëm në historinë e kompanisë. Rreth 88 vjet pas ndërtimit të kamionit të parë, Toyota është krenare të njoftojë se ka prodhuar 300 milionë makina deri më sot.

Për gati nëntë dekada, Toyota ka ndërtuar pak më shumë se 180 milionë makina në fabrikat e saj vendase, ndërsa afro 120 milionë janë prodhuar jashtë Japonisë.

Siç pritej, Corolla është modeli më popullor në historinë e kompanisë, me 53.39 milionë automjete të prodhuara. Emri i këtij modeli daton nga viti 1966. Ndërkohë, Corolla krijoi një mori modeleshi, nga sedan dhe hatchback deri te coupes, kohët e fundit crossovers, dhe herë pas here prodhohej edhe një minivan.

Në vitin 2022, kur shpërndau 10.5 milionë automjete në mbarë botën, Toyota ishte prodhuesi më i madh i makinave në botë për të tretin vit radhazi. Për më tepër, RAV4 ishte makina më e njohur vitin e kaluar, sipas të dhënave të publikuara nga JATO Dynamics. /Katror.info