Shkruan: Drita Kabashi – Artiste dhe historiane e artit
(Përkthyer në shqip nga teksti origjinal në gjuhën angleze)

“Poezia dëshiron. Mund të dëshirojë ta ndalojë ose eliminojë kohën me premtimet e saj të përjetshme ose duke zëvendësuar kronologjinë me epifani”
David Baker
Po e paraqes skenën: galeria ose muzeu, muret sterile monokrome, jehona e takave mbi dyshemetë lustruese, tingujt e mbytur, ndriçimi tematik. Pranë veprave, kartelat me shënime të sakta biografike, përmbledhje e jetëve dhe veprave komplekse në kronologji dhe medium. Bazuar në një studim të kryer nga Lisa F. Smith dhe Jeffrey K. Smith, fillimisht në Metropolitan Museum of Art dhe më pas në Art Institute of Chicago, vizitorët kalojnë mesatarisht 27-30 sekonda duke parë një vepër arti (dhe/ose duke lexuar shënimin përkatës), pavarësisht se a është vepra nga Leutze apo Cézanne[1].
Në fund të fundit, nuk ka një mënyrë “të drejtë”, as kohëzgjatje të përcaktuar, për të parë dhe përjetuar artin. Akti i ballafaqimit me artin nuk është i fiksuar, por gjithmonë kushtëzohet dhe formësohet nga një mori forcash. Veçanërisht në Kosovë, ku peizazhi institucional prej kohësh ka qenë i fragmentuar, dhe është vështirë të arrihen nocione përmbledhëse përfundimtare. Brenda një konteksti kaq të thyer, a mund të paraqitet fare ky art si një tërësi definitive dhe komplete? Apo mbetet domosdoshmërisht i hapur, duke reflektuar dhe përfaqësuar proceset e papërfunduara të shoqërisë që e mbështetë atë art? A ekziston një mënyrë që vetë ky fragmentim të vendoset në qendër?
Pyes veten nëse mund të propozoj një qasje alternative: a mund të jetë vetë teksti kuratorial si art më vete? Unë e mbështes përdorimin e poezisë si mjet kuratorial të interpretimit – spekulativ, i paqëndrueshëm, afektiv, i papërfunduar, duke u bërë kështu jehonë e vetë artit, si dhe të artistëve të cilët e kanë krijuar atë.
Ndryshe nga tekstet konvencionale kuratoriale, poezia nuk e pretendon finalitetin. Ajo përqëndrohet te autori dhe kompleksiteti i personalitetit të tij në relacion me veprën dhe shikuesin në një mënyrë që e shpërbën objektivitetin e perceptuar që e rëndon shpesh shkrimin institucional, dhe njëkohësisht e çmonton edhe paarritshmërinë e gjuhës akademike. Ajo i jep leje shikuesit të ketë ndjesi dhe të heqë dorë nga detyrimi për të “kuptuar” artin. Mund të pasqyrojë peshën emocionale dhe spekulative të një vepre, duke lënë hapsirë për interpretim dhe pa pretenduar ta paraqesë atë në mënyrë përfundimtare.
Sidomos kur informacioni historik ose estetik është i paplotë, poezia i reziston impulsit për t’i “mbushur” boshllëqet. Ajo mund të qëndrojë në pasiguri pa u bërë reduktive, nga vetë natyra e saj, duke e copëtuar kuptimin përmes mjetit të kotë të gjuhës. Ajo i lejon shikuesit të imagjinojë me shkrimtarin, në vend që të marrë interpretimin nga shkrimtari. Shkrimi, ashtu si arti, bëhet i pakontrollueshëm.
Po frymëzohem kryesisht nga puna e Saidiya Hartman, profesoreshë e letërsisë krahasuese në Universitetin Columbia. Hartman është një studiuese e letërsisë afro-amerikane dhe historisë kulturore, e cila ka shpikur metodën e “fabulimit kritik”. Kjo metodë ndërthur kërkimin historik me narrativën spekulative për të adresuar boshllëqet dhe heshtjet në arkiv, veçanërisht aty ku pabarazitë e pushtetit kanë fshirë ose mohuar subjektivitetin. Hartman imagjinon dhe fabulon jetët e brendshme të pasura të figurave historike të cilët ajo i studion.
Shumë puristë të hulumtimit akademik mund ta quajnë metodën e tillë të fabulimit kritik thjesht si “fiksion me fusnota”, por unë do të thoja se vetë kjo deklaratë është problematike, sepse e nënkupton historinë si diçka statike, që ekziston në formë të pastër dhe absolute, duke pritur të zbulohet, e sistemuar qartë në të dhëna empirike. Metoda e Hartman është një mjet i fuqishëm subversiv në fushën e historiografisë, pasi që e shpalos natyrën procesuale dhe të konstruktuar të shkrimit historik, megjithatë kjo metodë mund të aplikohet lehtësisht edhe në praktikën kuratoriale. Në një vend si Kosova, ku historia shënohet nga thyerja, zhvendosja dhe kujtesa institucionale e pabarabartë, fabulimi kritik bëhet jo vetëm i përshtatshëm, por i domosdoshëm, një qasje në të cilën personalja dhe kolektivja mund (dhe duhet) të negociohen njëkohësisht.
Për të ilustruar këtë qasje, do të filloj nga puna e një modernisti që e vlerësoj shumë. Që nga kursi im i parë i historisë së artit gjatë studimeve universitare, më kanë magjepsur format ekzistenciale dhe të zgjatura të Giacometti-t, dhe serialiteti devocional, pothuajse kompulsiv i kokave të Brancusit. Skulptura e pushton hapësirën bashkë me shikuesin – prania e saj është fizike, e prekshme, madje konfrontuese. Kjo ndjesi e prekshme dhe e menjëhershme është thelbi i efektit të saj, dhe gjithmonë më ka tërhequr si artiste teatrore. Ndoshta, duke pasur parasysh këto ndikime, nuk është për t’u habitur që gjithmonë e kam gjetur punën e Çavdarbashës magnetike.
Në një spital në Moskë, Agim Çavdarbasha mbushi pesëdhjetë e katër vjet. Në bllokun e skicave që mbante me vete ai vizatoi numrat “5” dhe “4” me një qiri mbi to, në ngjyra blu dhe jeshile industriale, me gjasë të vizatuara me stilolapsa (ndoshta të kërkuara nga recepsioni i spitalit?). Mes figurave njerëzore të rrëshqitshme, karakteristike për stilin e tij, ai vizatoi disa të lidhura me aparatet MRI, madje ngjiti edhe garzën që i mbante të fiksuar serumet direkt mbi faqe. Koleksioni i skicave, një nga të paktët që mbijetoi nga zjarret e vëna në atelienë e tij gjatë trazirave të vitit 2004, lexohet si një ditar. Më kujtoi autoportretet e Frida Kahlo-s të realizuara gjatë rikuperimit nga aksidenti katastrofik i autobusit që ajo i mbijetoi në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, dhimbja psikologjike, fizike dhe izolimi, që u bënë themel i praktikës së saj artistike.
Kjo e bëri Çavdarbashën më njerëzor në një mënyrë që më preku thellë, dhe më ofroi një pamje të nuancuar mbi një jetë, e cila megjithëse e dokumentuar mirë në arkivat e Galerisë Kombëtare dhe në artikujt e shtypit, mund të reduktohej lehtë në një seri ekspozitash, çmimesh dhe njohjesh, kronologjish, informacioni biografik (i lindur në, i ndarë nga jeta në, ka jetuar në, ka studiuar në). Duke shfletuar bllokun e skicave, pashë një njeri për të cilin arti nuk ishte thjesht produkt, por një mjet për të përballuar vetë jetën, papriturat dhe sfidat e saj, madje edhe humorin brenda saj. Jo vetëm përmes veprave të tij të përfunduara dhe të lëmuara, por edhe përmes nevojës instinktive, ndonjëherë të çrregullt, për të bërë kuptim nga realiteti – e pashë qartë të lidhur me një rrjet më të gjerë artistësh globalë që bëjnë art sepse duhet ta bëjnë, sepse është e vetmja gjë që ka kuptim. Këtë kompleksitet njerëzor e humbasim në shkrimet institucionale.
Skulpturat e Agim Çavdarbashës, veçanërisht ato që paraqesin fragmente të trupit apo fytyra në formë të reduktuar, i rezistojnë rrëfimit të thjeshtë. Prania e tyre e lëmuar, e rrjedhshme, duket sikur ekziston jashtë kohës, por ngarkohet me historitë e afërta dhe të largëta të Kosovës. Jeta dhe vepra e tij përbëjnë raste studimore të përsosura për praktikën që propozoj.
Në një katalog të vitit 1981 për ekspozitën personale të Çavdarbashës, Eqrem Basha ka shkruar një tekst hyrës. Përmbajtja e shkrimit është kryesisht lavdëruese dhe me vizion të gjerë, duke trajtuar gjithë veprën dhe synimet e artistit dhe më pak të fokusuar në punët specifike të ekspozitës. Pas kësaj vjen një kronologji biografike: vendlindja, formimi, ekspozitat, çmimet. Më pas një listë e veprave të ekspozuara. Emri, mediumi, pa data:
8. Sfera I, bronz

Por ndoshta, në vend të saj, mund të konsiderojmë:
Me një dhunë
Që i përket vetëm sferës së krijimit
Një ngatërrim gjymtyrësh del nga zbrazëtia
Me forcë çajmë rrugën përmes baltërave të kohës
Ndoshta kurrë të rrëzuar plotësisht
Por gjithmonë në buzë të greminës
Për më tepër, mund të marrim në konsideratë edhe llambat prej terakote të Dardanisë së Lashtë në Muzeun Kombëtar të Kosovës, për të cilat dihet pak (dhe shpeshherë me informata kontradiktore). Kjo pjesërisht për shkak të një tërmeti që shkatërroi Ulpianën në vitin 518 pas Krishtit (Shukriu 2008, 21), duke marrë me vete dije mbi mënyrat e jetesës dhe dëshmi të vlefshme arkeologjike që ndryshe do të mund të nxirreshin nga objektet in situ. Por, të mos harrojmë gjithashtu që ato u zbuluan në një kohë arkeologjie të ngulitur thellë në administratat e ish-Jugosllavisë, të cilat bartnin me vete kornizat, implikimet dhe agjendat e tyre politike e ideologjike.
Një etiketë korresponduese në muze lexon:
Lucernae, datuar shek. III pas Krishtit, terakotë, 9 cm (gjerësi) x 3.8 cm (lartësi)
Po sikur, në vend të saj të ishte:
Atje ku ka dritë
Duhet të ketë edhe hije.
Së bashku, vallëzimi i sipërfaqeve të ndriçuara
Dhe magjepsja e errësirës
Krijojnë një pamje fragmentare, të lëvizshme
Një metaforë e qëlluar (e ndjej)
Për natyrën e së vërtetës
Galeria Kombëtare e Kosovës, Muzeu Etnologjik në Prishtinë, Muzeu Kombëtar i Kosovës, të gjitha aktualisht në një fazë ndryshimesh për shkak të rinovimeve, zhvendosjeve dhe arkivave në lëvizje, janë vetë në një moment spekulativ. Pse të mos i përgjigjemi këtij ndryshimi me mjete kuratoriale që përqafojnë spekulimin? Kjo nuk ka të bëjë me zëvendësimin e dijes akademike me ndjenja, por me zgjerimin e asaj që konsiderohet interpretim. Çfarë ndodh kur kuratorët i japin vetes lejen për të shkruar eksperimentalisht, ose kur teksti në mure flet në prozë?
[1] Studimet përfshinë si epokat para smartfonit ashtu edhe periudhën e tij të mëvonshme, kur u bë i përhapur gjerësisht
Bibliografi
Baker, David. 2007. “Lyric Poetry and the Problem of Time.” Literary Imagination Volume 9, Issue 1: 29-36.
Çavdarbasha, Agim. Agim Çavdarbasha: Skulpturë / Grafikë. Redaktuar nga Engjëll Berisha. Teksti nga Eqrem Basha. Fotografi nga Afrim Spahiu. Përkthyer nga Vehap Shita (Serbo-Kroatisht) dhe Genc Nimani (Anglisht). Prishtinë: Rilindja, 1981.
Çavdarbasha, Guri. Intervistë joformale nga Drita Kabashi. Vizitë në atelier, studio e Agim Çavdarbashës, 16 qershor 2025.
Hartman, Saidiya. Wayward Lives, Beautiful Experiments: Intimate Histories of Social Upheaval. New York: W.W. Norton, 2019
Kaplan, Isaac. “How Long Do People Really Spend Looking at Art in Museums?” Artsy (blog), 7 nëntor 2017. Aksesuar më 12 qershor 2025. https://www.artsy.net/article/artsy-editorial-long-people-spend-art-museums
Shukriu, Edi. 2008. “Prehistory and Antique History of Kosova.” Thesis Kosova, Numër 1: 5-28. https://www.academia.edu/67115353/Prehistory_and_Antique_History_of_Kosova
Ky artikull është publikuar në www.katror.info si mbështetje për platformën e kritikës artistike Hani i dy Robertëve.
















