Nëse Rita Ora, si një refugjate nga Kosova, e hapi një shteg suksesi të paimagjinueshëm deri atëherë për talentet nga trevat tona, Dua Lipa e dëshmoi se Rita nuk ishte rastësi apo rast i izoluar, por e betonizoi atë shteg për vajzat me synime të ngjashme nga e gjithë bota, pa marrë parasysh rrethanat e pafavorshme.
Është histori fantastike e Duas, se si ajo u kthye në Londër, e vetme, në moshën 15-vjeçare, për të ndjekur një karrierë muzikore “në shkallë globale”, duke tejkaluar refuzimet e hershme dhe fillimet modeste për t’u bërë një superyll botëror. Suksesi i saj është i shënuar nga puna e palodhur, lëvizjet strategjike si ndërtimi i karrierës përmes mediave sociale dhe shprehja autentike, ndërkohë që ajo mbetet e lidhur me trashëgiminë e saj kosovare.
Dua Lipa lindi më 22 gusht 1995, në Londër. Emri Dua ishte sugjerim i gjyshes së saj. Ajo u rrit në West Hampstead, dhe ndoqi shkollën fillore Fitzjohn’s, ku mësimet e muzikës përfshinin edhe violonçelin instrumenti i parë, që ajo e zotëroi. Kur bëri audicion për t’u pranuar në korin e shkollës, mësuesi i tha se nuk ka talent për këndim.

Në moshën nëntëvjeçare, ajo filloi mësimet e këndimit gjatë fundjavave në Shkollën e Teatrit Sylvia Young, të njëjtën shkollë ku disa vite më herët kishte ndjekur mësime edhe Rita Ora dhe Amy Winehouse. Ajo u rrit duke dëgjuar Bob Dylan, David Bowie, Radiohead, Stereophonics, Sting etj. Kur ishte 11 vjeç, familja u kthye në Kosovë. Prishtina dukej shumë larg Londrës dhe, ndonëse krenare për atdheun e saj, Dua filloi të ndiente se ëndrrat e saj për sukses dhe famë mund të shuhen në Kosovën e sapodalë nga lufta, me një skenë të paqartë muzikore, me zhanre të përziera që oscilonin prej parodisë deri te krijuesit e vërtetë. Por, ajo refuzoi ta linte atë ëndërr të shuhej. Në moshën 15 vjeç, bëri diçka që shumica nuk do të kishin guxuar – i tha prindërve të saj se donte të kthehej në Londër dhe se do të kujdesej vetë për vetveten atje.
Ajo u kthye në Londër. U rikthye në Shkollën e Teatrit Sylvia Young dhe filloi të realizojë këngë, duke i ngarkuar ato në SoundCloud dhe YouTube. Ajo postonte gjithashtu video të vetes duke interpretuar këngë të tilla si “If I Ain’t Got You” nga Alicia Keys dhe “Beautiful” nga Christina Aguilera në YouTube.

Ajo i është rikthyer Kosovës me gjithë zemër shumë shpejt. Në vitin 2016, ajo u kthye për një shfaqje në Prishtinë, ku performoi në Gërmi. “Ndihem sikur përfaqësoj Kosovën”, tha ajo.
“Të gjithë kanë qenë shumë mbështetës që nga fillimi. Kur publikova këngën time të parë ‘New Love’, të gjitha vlerësimet e mia erdhën nga Kosova dhe Shqipëria.”
Në vitin 2013, Dua nënshkroi një kontratë me Tap Management, një kompani menaxhimi muzikor, ndërsa punonte si kameriere në një bar koktejesh. Ata i ofruan asaj një pagë mujore që të linte punën dhe të përqendrohej në incizimet e muzikës. Gjatë njërës prej seancave, Lipa bashkëshkroi këngën “Hotter than Hell”, gjë që çoi në nënshkrimin e një marrëveshjeje me Warner Bros Records në vitin 2014.
Dua ka një gamë vokale mezzo-soprano ose kontralto dhe gjithashtu dallohet për këndimin e saj të dallueshëm, të ngjirur dhe të ulët, si dhe për tonin e saj “tërbues”.
Lidhur me procesin e saj të shkrimit të këngëve, Lipa thotë se zakonisht vjen në studio me një koncept dhe më pas fillon ta zhvillojë këngën së bashku me bashkëautorët e saj.
Ed Millett, drejtues i Tap Management, ka thënë se Dua ishte vërtet e zgjuar – ajo nënshkroi me Warner Bros pjesërisht sepse ata nuk kishin një artiste të madhe femër në muzikën pop dhe kishin nevojë për një të tillë, dhe ajo e kishte nuhatur këtë fakt.
“Ata me të vërtetë e donin Duan, prandaj ajo kishte vëmendjen e tyre që nga dita e parë”, pat thënë Millet.
Në këtë pikë fillon të zhvillohet një nga karrierat më të fuqishme në muzikën pop.
Në vitin 2015, Dua publikoi këngën e saj të parë, “New Love”. Kënga e saj e dytë, “Be the One”, pati sukses të madh në Evropë në tetor të vitit 2015, duke arritur vendin e parë në Belgjikë, Poloni dhe Sllovaki, si dhe duke u renditur në dhjetë vendet e para në mbi 11 shtete evropiane. Në Australi dhe Zelandën e Re, kënga u bë shumë e njohur në transmetimet televizive dhe radiot, duke arritur përkatësisht vendet 6 dhe 20.
Megjithatë, Dua ende shëtiste lirisht në rrugët, taksitë ose metronë e Londrës, Anglisë dhe Evropës, pa e trazuar kush.
Por vetëm dy vjet më vonë, ishte e pamundur që Dua të udhëtonte në mënyrë anonime. Ajo tashmë ishte një superyll që pushtoi top-listat – gruaja më e dëgjuar në Spotify në vitin 2017 (përpara Beyoncé, Taylor Swift, Rihanna, Lorde etj.) dhe, çuditërisht, këngëtarja e parë britanike që nga Adele që arriti vendin e parë në Mbretërinë e Bashkuar me këngën “New Rules”.
Në mënyrë domethënëse, 50% e shitjeve të albumit të saj të parë, “Dua Lipa”, kanë qenë fizike – duke konfirmuar se ajo është një artiste me përmbajtje të vërtetë, dhe jo thjesht një fenomen interneti.
I konsideruar si një album i zhanrit dance-pop, electropop dhe R&B, albumi u publikua më 2 qershor 2017. Vetë Dua e përshkruan tingullin e albumit si pop të errët, pop progresiv “që të nxitë për vallëzim”. Albumi mori vlerësime përgjithësisht pozitive nga kritikët dhe solli gjithsej tetë single hite, të cilat përfshijnë këngët “Be the One”, “Blow Your Mind (Mwah)”, “New Rules” dhe “IDGAF”.
Albumi arriti kulmin në vendin e tretë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në vendin e 27-të në SHBA. Është certifikuar dy herë me Platin në Mbretërinë e Bashkuar dhe njëherë në SHBA. Albumi, asokohe, ishte albumi më i transmetuar nga një artiste femër në historinë e Spotify, me mbi 9.4 miliardë transmetime. Asnjë album pop i vitit 2017 nuk pati sukses si albumi debutues i Dua Lipës.
“New Rules”, himni që të bën të kuptosh vlerën tënde, u bë suksesi i saj më i madh. Ndërkohë që jetëgjatësia e suksesit të këtij albumi krijoi bazën e fansave të saj britanikë dhe kosovarë, ajo u shfaq me një tjetër hit të madh, “One Kiss”, që e ruajti vrullin e saj artistik.
Albumi i saj i dytë, “Future Nostalgia”, u publikua një javë para datës zyrtare për shkak të pandemisë së koronavirusit, por edhe sepse fansat e kishin shpërndarë tashmë në platforma të ndryshme.
I lansuar nga kënga kryesore “Don’t Start Now”, albumi i dytë “Future Nostalgia” është një koleksion pop-funk i sofistikuar dhe i fuqishëm. Duke përfituar nga dashuria për kulturën e popit të viteve ’80 dhe kulturën e klubeve të viteve ’90, Dua dhe një ekip producentësh me përvojë thellohen në ringjalljen retro-pop — një kthim i ndritshëm kohor në pistën e vallëzimit që synon fansat më të përkushtuar të popit.
“Future Nostalgia” tingëllon si një ndërthurje e tre epokave të Madonnës, Blondie, Gloria Gaynor, Kylie Minogue dhe Punk Draft, por me tingullin e shekullit XXI, që ishte një hap me risk.
Në album ndihet vetëvendosja si qëndrimi më i fortë i Lipës. Emocioni i “Future Nostalgia” — vetë titulli, një pretendim për statusin e klasikës moderne — qëndron në mënyrën se si ajo përshtat formën retro-funk për t’iu përputhur qëndrimit të saj komandues, edhe kopertina asocion në skenat e Tarantinos nga Pulp Fiction. Albumi tingëllon i sinqertë dhe kuptimplotë; në dukje të parë vë në pah ftohtësinë e Lipës, por në të njëjtën kohë demonstron gamën e saj — guximin krenar.
Edhe pse bëhen katër vjet mes “Future Nostalgia”, dhe albumit të tretë, “Radical Optimism”, Dua ishte e kudondodhur falë fushatave të ndryshme të markave luksoze, kopertinave të revistave të shoqëruara me kontrata, roleve në filmat Barbie dhe Argylle, podkasteve dhe klubit të librit, si dhe turneut të albumit, i cili u vonua për shkak të pandemisë.
Për albumin e saj të tretë, Dua Lipa, në një intervistë për revistën Time, pati thënë: “Tani jam thjesht një person tjetër, prandaj sigurisht që ky album do të jetë ndryshe. Kam mendime, dëshira, nevoja dhe perspektiva të ndryshme.”
Ajo ishte disi e irrituar nga ideja — megjithëse mjaft e saktë — se “Houdini” ka të bëjë me disko-n, por, sipas saj, albumi është frymëzuar gjithashtu nga Britpop-i.
Dua Lipa, me tre albume, ka fituar çmime që tashmë e vendosin ndër performueset më të suksesshme në histori. Ajo ka shtatë Brit Awards nga 19 nominime, tre Grammy Awards nga 10 nominime, dy MTV Video Music Awards nga 23 nominime, dy MTV Europe Music Awards nga 16 nominime, dy American Music Awards nga 7 nominime, tre iHeartRadio Music Awards nga 19 nominime, nëntë pllaka Spotify për 1 miliard transmetime dhe një Bambi Award.

Dua ka shënuar dy Rekorde Botërore të Guinness: në vitin 2020 për numrin më të madh të biletave të shitura për një koncert të transmetuar drejtpërdrejt nga një artiste solo femër, dhe në vitin 2021 për numrin më të madh të dëgjuesve mujorë në Spotify për një artiste femër. Ajo ka fituar gjithashtu çmimin Top Dance/Electronic Song në Billboard Music Awards 2024 për këngën e saj Houdini, e cila ka kryesuar tabelën Hot Dance/Electronic Songs për 17 javë Flippin Lousy.
Meqë Dua Lipa është yll i shekullit XXI, ajo patjetër që ka pasur shumë gjëra për të thënë edhe jashtë muzikës. Ashtu si i ka hije një ylli të rangut të saj, ajo është angazhuar në një sërë aktivitetesh dhe kauzash të ndryshme.

Në nëntor të vitit 2018, Lipa mori pjesë në një fushatë të organizuar nga UNICEF, të quajtur “Go Blue”, në mbështetje të të drejtave të fëmijëve, me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve.
Në dhjetor të po atij viti, Lipa mori pjesë në një koncert bamirësie për eventin vjetor “Streets of London” të Ellie Goulding, të mbajtur në Wembley Arena, i cili synon të financojë mbështetje të specializuar për personat e pastrehë në Londër dhe të rrisë ndërgjegjësimin për problemin e mungesës së strehimit.
Pas tërmetit të vitit 2019 në Shqipëri, Lipa u kërkoi fansave donacione dhe mbështetje për viktimat. Për të mbledhur fonde, ajo bashkë-lëshoi një linjë bluzash me botim të kufizuar, të quajtur “Lutuni për Shqipërinë”.

Të gjitha të ardhurat shkuan për familjet dhe viktimat e prekura nga tërmeti. Përmes Fondacionit të saj, Sunny Hill, Dua iu bashkua një iniciative të nisur nga Bashkia e Tiranës, të quajtur “Adopto një kopsht”. Qëllimi i projektit ishte rindërtimi i një kopshti që u dëmtua rëndë nga tërmeti. Kopshti u përfundua në tetor 2021 dhe u quajt “Kopshti Sunny Hill”.
Në vitin 2020, ajo u kërkoi fansave të saj të bënin donacione për agjencinë UNHCR, për t’u përballur me pandeminë e COVID-19, pasi refugjatët janë “më të prekshmit në këtë planet”.
Ajo përdori mediat sociale për të inkurajuar qytetarët libanezë të dhuronin gjak për viktimat e prekura nga shpërthimi i Bejrutit në vitin 2020.

Po ashtu, ajo dhuroi 5,000 euro për Teatrin e Dodonës në Prishtinë, në mënyrë që institucioni të kishte sistemin e vet të biletave dhe faqen e internetit.
Ajo ishte pjesë e një iniciative të organizuar nga këngëtarja belge Angèle dhe Fondacioni KickCancer për të financuar kërkimin kundër kancerit të fëmijërisë. Iniciativa konsistonte në një llotari bamirësie, në të cilën Dua ofroi një dorëshkrim të këngës së saj “Don’t Start Now”.
Në nëntor 2018, Dua shprehu pakënaqësinë e saj për tërheqjen e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian për shkak të Brexit-it, duke theksuar se, sipas përvojës së saj personale, “asnjë refugjat nuk largohet nga vendi i tij pa pasur nevojë”. Në qershor 2019, ajo bëri publike mbështetjen e saj për tranzicionin e vazhdueshëm të Sudanit drejt demokracisë në mediat sociale, duke ndarë një imazh blu me frazën “Mbështet Sudanin” dhe duke shkruar për të gjitha “gratë, burrat dhe fëmijët që luftojnë për një tranzicion paqësor drejt demokracisë”. Në qershor 2020, ajo ndau një postim në Instagram që kritikonte trajtimin e palestinezëve nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit.
Më 2020, Lipa ndau një postim në Instagram, duke shpjeguar “pse Kosova është shtet sovran”, dhe i nxiti ndjekësit të nënshkruanin një peticion që i bënte thirrje Apple të përfshinte Kosovën në shërbimet e saj të hartëzimit si një shtet të pavarur. Ajo publikoi në mediat e saj sociale një imazh të një baneri që përmbante një hartë të trevave ku jetojnë shqiptarët, me përkufizimin e fjalës “autoktone”.
Meqenëse baneri nxiti reagime nacionaliste, ajo më vonë tha se postimi i saj ishte “keqinterpretuar” nga njerëz që promovojnë separatizmin etnik, një ideologji që ajo “e hedh poshtë plotësisht”.
Në gusht të vitit 2022, Lipa u emërua Ambasadore Nderi e Kosovës nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Në përgjigje, Lipa shkroi se ishte një “nder dhe privilegj të përfaqësoja vendin tim në të gjithë botën” dhe se mbështeste të drejtën e kosovarëve “për liberalizimin e vizave, të cilën Kosova nuk e kishte asokohe, dhe lirinë për të udhëtuar dhe për të realizuar ëndrrat e tyre”.

Nuk do të ishte e tepruar të thuhet se, falë Dua Lipës, Kosova hyri në hartën e vendeve me festivale me renome botërore – gjë që vetëm disa vite më herët ishte e paimagjinueshme të ndodhte në Kosovë.
Trashëgimia më e madhe që ajo do t’i lërë Kosovës është Festivali Sunny Hill. Ajo dhe babai i saj, Dukagjin Lipa, bashkëkrijuan Fondacionin Sunny Hill në vitin 2016, me qëllim mbledhjen e fondeve për të ndihmuar njerëzit në Kosovë që përballeshin me vështirësi financiare.

Në gusht të vitit 2018, Dua Lipa organizoi edhe festivalin Sunny Hill Festival për të mbledhur fonde për fondacionin. Me atë rast, ajo mori Çelësin e Prishtinës. Në edicionin e parë të festivalit, përveç Duas, yje të tjerë ishin edhe Action Bronson dhe Martin Garrix.Në edicionin e dytë të festivalit, në vitin 2019, ajo solli Miley Cyrus, Calvin Harris dhe DJ Gashi. Çdo edicion i ardhshëm zgjerohej me emra gjithnjë e më eminentë si pjesëmarrës të festivalit. Nuk munguan Bebe Rexha, Burna Boy, Stormzy, DJ Snake, Black Coffee, The Martinez Brothers, Groove Armada, The Blaze, Shawn Mendes, Peggy Gou, Edis e të tjerë.
Me misionin për të festuar muzikën, kulturën dhe komunitetin, festivali është bërë një simbol i energjisë krijuese të Kosovës dhe i dashurisë për përvoja të paharrueshme “live”.
Festivali Sunny Hill sot është pa dyshim ngjarja më e madhe muzikore në Kosovë dhe një nga festivalet më të shquara në Evropën Juglindore për prodhimin e tij të klasit botëror, atmosferën e gjallë dhe formacionet e mbushura me yje. Sunny Hill e shndërron Prishtinën në një destinacion muzikor global çdo verë.
Asnjë ngjarje tjetër kulturore, politike apo shoqërore nuk vendos Kosovën në qendër të vëmendjes botërore me një intensitet dhe ndikim të tillë si Sunny Hill Festival. Me këtë festival, Kosova nuk përfaqësohet vetëm nga aspekti muzikor, por edhe nga aftësia e saj për të menaxhuar projekte të mëdha kulturore me standarde ndërkombëtare, duke krijuar një imazh pozitiv dhe duke tërhequr vëmendjen e mediave dhe vizitorëve nga e gjithë bota.

Dua Lipa sot vlen për një personalitet me impakt global në mas-kulturën botërore si dhe thesar kulturor i Kosovës por edhe i Britanisë. Sipas një studimi nga Zyra e Statistikave Kombëtare zbuloi se numri i personave të lindur me emrin “Dua” në Angli dhe Uells ishte 63 në vitin 2017, vit kur Lipa fitoi këngën e saj të parë numër një në Mbretërinë e Bashkuar me “New Rules”; ky numër u rrit në 126 në vitin 2019.
Në maj të vitit 2018, ajo u përfshi në listën inauguruese të British Vogue të 25 grave britanike më me ndikim të vitit 2018, ku ishte më e reja në listë, në moshën 22 vjeç. Rishikimi për të theksonte se kënga e saj e vitit 2017, “New Rules”, është një “himn i fuqizimit të grave që paraqet një plan për jetën seksuale moderne” dhe e përshkruante atë si “përcaktuese të kulturës”. Ajo u përfshi në listën e Time për 100 personat më me ndikim në botë të së ardhmes. Këngëtarja australiane Kylie Minogue, si dhe Mark Sutherland dhe Jem Aswad nga revista Variety, e vlerësuan Duan si njërën nga gratë më me ndikim në industrinë globale të argëtimit./Katror.info
Përgatiti:

















