Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa ka shtuar një tjetër arritje në listën e saj të gjatë të suksesit këtë herë jashtë skenës muzikore. Ylli britaniko-shqiptar ka njoftuar se ka kaluar me sukses provimin e gjuhës spanjolle në nivelin GCSE, një nga certifikatat më të njohura në sistemin arsimor britanik.
Lajmin e ka ndarë vetë artistja përmes një postimi në Instagram Story, ku publikoi një foto nga video-telefonata me mësuesen e saj të spanjishtes, duke shkruar: “Gjithashtu sapo u diplomova këtë mëngjes në GCSE Spanish.”
Dua, 30 vjeçe, e cila aktualisht ndodhet në turneun botëror “Radical Optimism”, e shoqëroi postimin me një mesazh plot dashuri për mësuesen e saj:
“Të dua shumë @catyvillanuevamatar – mësuesja më e mirë në botë!”
Por suksesi në gjuhën spanjolle nuk është fundi për këngëtaren. Ajo ndau gjithashtu një foto të librit të vitit të parë të nivelit A në spanjisht, duke treguar se është gati të vazhdojë më tej me studimet në këtë gjuhë. Në mbishkrim, ajo shkroi me entuziazëm: “Next next next!!!!!!! ”
Dua Lipa, e njohur për stilin e saj të guximshëm dhe ndikimin në industrinë e muzikës dhe modës, dëshmon edhe njëherë se pasioni dhe përkushtimi i saj shkojnë përtej artit duke frymëzuar ndjekësit që të ndjekin dijen dhe zhvillimin personal në çdo formë./KultPlus/Katror.info