Zyrtarisht hynëm në vjeshtë dhe në çerekun e fundit të këtij viti. Shpejt po shkojnë javët, por ne jemi këtu me ju tregu se qysh me i mbush me aktivitete: çka me pa, dëgju, përjetu, lexu, zbukuru!
Kemi një kombinim eklektik këtë javë të propozimeve, prej festivalit të njohur feminist FEMART që ka program të pasun sivjet e deri te edicioni i parë i festivalit të teatrove GJakovART, në Gjakovë (ku tjetër?); prej një reviste të re “Me diell”, deri te singli i ri i bendit Sytë që jetojnë në New York. Vazhdojmë me ju rekomandu për venerim, e pse jo edhe me ble, një objekt të lezetshëm enterieri, inspirum nga tradita shqiptare, performancën korale kosovare në Selanik, një ekspozitë te Lambda Lambda Lambda në Prishtinë dhe një super performancë tjetër në Tiranë.
Dhe kjo e kompleton edhe një Monday Marks, listën tonë dhe tuaj me sene&vene. Shihemi next week!
Me përjetu: Festivali Femart, Prishtinë
Për më shumë se një dekadë, festivali i madh i arteve dhe aktivizmit feminist FemArt ka shërby si “një platformë për t’u dhënë zë grave dhe gjithësecilit/ës pavarësisht identiteve, duke festuar qëndrueshmërinë dhe duke avokuar për të drejtat e grave”. Sivjet organizatorët kanë sjell një program të titullum “SISTERHOOD: In Times of War and Peace”. Një program i pasun 6-ditor të artit, aktivizimit dhe dialogut, që fillon me 25 e përfundon me 30 shtator – prej hapjes me performancen “Carmen” të grupit flamenco të Barcelonës deri te mbyllja e festivalit me konferencë dedikuar feminizmit, shfaqjen teatrale franceze “Speculum” dhe koncert dhe promovim të albumit “Gërshetat” nga Vjollca Robelli-Mripa. Në mes hapjes dhe mbylljes çdo ditë ka diçka provokuese, intriguese, inspiruese…
Me dëgju: Festivali GjakovART, Gjakovë
Për herë të parë këtë vit po organizohet festivali i teatrit GjakovART. Organizatorët kanë planifikuar gjashtë netë artistike me shfaqje dhe muzikë në qytetin e Gjakovës. Sipas organizatorëve, festivali “GjakovART” nuk është vetëm një event artistik, por “një mundësi për të bashkuar komunitetin dhe për të festuar pasurinë e trashëgimisë kulturore të qytetit.” Programi i sjell këto shfaqje nga Korça, Gjilani, Tetova, Prizreni, Prishtina dhe Ferizaji: Dredhit’ e Patukut, Babai dhe Babai, Audienca, Fluturimi mbi Folenë e Qyqes, Na Ishte Njëherë (26 Shtator) dhe Togeri nga Inishmori. Pas mbylljes së perdes, festivali do të vazhdojë në një atmosferë më të lirshme dhe të gjallë me muzikë në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës.
Me pa: Ekspozita e Emile Rubino, Galeria Lambda, Prishtinë
Lambda Lambda Lambda është një galeri e vogël e Prishtinës e udhëhequn prej dy austriakeve Kati dhe Issa. Ka program jashtzakonisht divers dhe kualitativ të artistëve nga Kosova, rajoni dhe bota. Është galeri në kuptimin e plotë të fjalës sepse është ndoshta e vetmja e angazhuar në shitje të punimeve, që ka një rrjet të gjërë, mbulim global medial dhe pjesëmarrje në panairet dhe festivalet kryesore të artit kontemporan.
Kësaj rradhe mund ta vizitoni një ekspozitë nga Emile Rubino, artist që jeton në Bruksel. Janë shtatë fotografi koxha të ndryshme pë nga stili, ekzekutimi dhe madhësia, dhe sipas tekstit kuratorial “ato duket se i bëjnë me sy shikuesit me dinakëri. Ka një shaka, por cila është ajo?” Gjejeni edhe ju fijën ndërlidhëse në mes fotografive dhe referencave të shumta artistike – keni kohë deri me 9 nëntor, sa është e hapun ekspozita.
Me lexu: Revista “Me diell”, Kosovë
Nuk ndodhë çdo ditë të lansohet një revistë e re, edhe atë në print. Fondacioni “Unë e du Kosovën”, i njohun prej qendrave për edukim alternativ të fëmijëve “Bonevet”, ka filluar botimin e një reviste për shoqni, kulturë dhe lifestyle. Numri i parë ka shkrimet e zakonshme spjeguese dhe informuese për synimet e botuesit dhe redaktorëve, por ka edhe shkrime dhe ilustrime nga ca emna që moti s’i kemi pa tu shkru në print si Rina Meta (që vjen me një shkrim për Petrit Halilaj), Tefta Kelmendi (një ese për emnat dhe identitetin) dhe Rina Krasniqi me shkrim dhe ilustrime (Rina tek ne në Suzanne ka ilustruar Murakamin!).
A ka qef ma të madh se me pi kafe duke shfletuar gazeta e revista? Gazetat tek ne u shuan krejt, e tash shpresojmë se revista “Me diell” do ta vazhdon traditën e printit te na.
Me pa: Performanca “Living Bridges”, Tiranë
Instituti për media dhe arte Bulevard nga Tirana ka pasur një seri eventesh këtë javë dhe e përfundon The Bulevard show me Living Bridges, një vepër nga Wurmkos, e nisur gjatë Bulevard Show 2023 në Tiranë, e cila do të përfundojë sot, më 23 shtator në Bulevard Show 2024. Nëse jeni në Tiranë, merrni pjesë gjithsesi.
Projekti buron nga një reflektim mbi hapësirën e ‘hapjes së përkohshme’ në strukturën urbane, të krijuar nga prishja e një ndërtese të projektuar nga artisti dhe arkitekti i njohun shqiptar Maks Velo. Vepra eksploron këtë hapësirë të përkohshme të ‘pragut,’ përmes një projekcioni dhe një ndërhyrjeje murale pasuese, tani e fshehur nga rindërtimi i vazhdueshëm i godinës së Velos, fenomen ky i shumë qyteteve në tranzicion anemban Kosovës dhe Shqipërisë.
Me dëgju: Koncert i Kori simfonik të Kosovës, Selanik
Herën e kaluar ju ftuam ta përcjellni prezantimin e Korit të Filharmonisë së Kosovës në Vlorë, ndërsa tani mund t’i dëgjoni në Selanik. Në bashkëpunim me Orkestrën Shtetërore të Selanikut dhe Korin e Përzier të Selanikut, Kori i Filharmonisë do të interpretojë veprën “Krijimi” nga Joseph Haydn. Koncerti mbahet të premten, më 27 shtator 2024, prej orës 18:30 në Sallën e Koncerteve të Selanikut. Në rolin e solistëve do të prezantohen: sopranoja Siranus Chalikian, mexosopranoja Electra Manoussi, tenori Mihail Mihaylov dhe basi Tassos Apostolou. Koncerti do të drejtohet nga Cornelios Michailidis, ndërsa mjeshtër të koreve janë Hajrullah Syla (Kosovë) dhe Mary Konstantinidou (Greqi).
Me dëgju: Singli i ri “Give Enough” nga Sytë, NYC
Kemi shkru edhe ma herët për Sytë, një bend/çift në Nju Jork (Nita dhe Drini), që prodhojnë muzikë që na qon mallin e French electronic pop bendeve, ama me sound të apdejtum, tekstet e mira dhe referenca në Prishtinë plus tepër identitet vizuel mirë të bom në rrjete sociale. Singli i ri e ka emnin Give Enough dhe sjell atmosferën e dancit urban, zanit melankolik dhe tekstit kontemplativ se çka ështe “me jep”. Dëgjojeni, bonjani subscribe dhe përcjellni se soon enough, kanë mu bo t’mdhaj!
Me u ul: karriga Shkam, Prishtinë/Stamboll
Kosova ka njëfarë seni të çuditshëm në arkitekture dhe dizajnin e enteriereve. Ka plot ndërtime, plot banesa, plot shitore mobilesh, por relativisht pak studio tona që dizajnojnë objekte vetanake enterieri.
Shape & Shade, një studio nga Prishtina dhe Stambolli, e kanë dizajnu një shkam, apo karrigthe e vockël katuni dhe do ta shfaqin me emnin Shkam Bold atë në Dutch Design Week. Shkami është një reinterpretim bashkëkohor i stolit tradicional shqiptare Shkam, që përzien trashëgiminë kulturore me parimet e dizajnit modern. Ky koleksion Shkamash veçohet për modularitetin e saj, format skulpturale dhe përkushtimin ndaj materialeve miqësore me mjedisin. Secili Shkam në këtë koleksion i bën homazh traditës së pasur të artizanatit shqiptar, të rimagjinuar për publikun e sotëm./Katror.info
Marrë nga Suzanne Podcast.