Mitrovica është gati të shndërrohet në një vendtakim të gjallë për artistë, aktivistë dhe dashamirë të natyrës! Green Fest 2025 vjen me energji të reja dhe një mision të fortë për të ndërgjegjësuar të gjithë mbi çështjet mjedisore dhe sociale.
Edicioni e 15-të i Green Fest, një prej festivaleve më të rëndësishme të artit, kulturës dhe mjedisit në Kosovë, këtë vit zhvillohet nga 13 deri më 17 gusht 2025, Me temën bosht “Toxicity”, festivali synon të hapë një debat të gjerë mbi ndikimin e toksicitetit në mjedis, shëndetin publik dhe marrëdhëniet shoqërore, duke e lidhur artin me aktivizmin për një të ardhme më të pastër e më të shëndetshme.
Gjatë pesë netëve të festivalit, Mitrovica do të gjallërohet nga një program i larmishëm që kombinon punëtori edukative, diskutime mbi çështjet mjedisore, performanca artistike, ekspozita, muzikë live dhe aktivitete rekreative.
Çdo mëngjes, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të marrin pjesë në punëtorinë e gazetarisë mjedisore, ndërsa pasditet dhe mbrëmjet do të mbushen me aktivitete si Green Talks mbi ndotjen kimike dhe shëndetin mendor në qytetet industriale. Fëmijët do të kenë hapësirat e tyre krijuese përmes programit Green Kids, duke mësuar mbi natyrën përmes lojës dhe artit.
Në skenat e festivalit do të ngjiten emra të njohur të muzikës shqiptare dhe ndërkombëtare si Armend Rexhepagiqi, Yll Limani, Gipsy Groove, Offchestra, La Fazani, Ahmet Kilic, DJ Wise e shumë të tjerë, duke e kthyer mbrëmjen në një festë të vërtetë ritmesh dhe energjie.
Programi ofron gjithashtu aktivitete sportive dhe natyrore si kajak, biçikletë, yoga dhe hiking, si dhe shfaqje filmash me temë mjedisore, përfshirë dokumentarin “Sky Above Zenica”, Ekspozita “Toka si ti” dhe performancat artistike nga një trupë baleti, do të sjellin reflektim mbi çështjet e ndotjes dhe ndikimit njerëzor në planet.
Green Festorganizohet nga 7Arte në bashkëpunim me Komunën e Mitrovicës, Ministrinë e Kulturës dhe programin EECSOK menaxhuar nga CDF e përkrahur nga SIDA, duke u shndërruar jo vetëm në një ngjarje artistike, por edhe në një platformë ndërgjegjësimi dhe bashkëpunimi ndërkomunitar.
Mos e humbisni mundësinë të bëheni pjesë e një eksperience që ndërthur artin, edukimin dhe argëtimin për një të ardhme më të gjelbër!
Ceremonia përmbyllëse do të mbahet në Kodrën e Minatorëve në komunën e Mitrovicës së Veriut, duke përçuar mesazhin e unitetit përmes artit dhe mjedisit.
Për më shumë detaje dhe programin e plotë, vizitoni: www.mitrovicagreenfest.com
/Katror.info