Një ekspozitë, e vlerësuar me çmime, që eksploron jetën dhe veprën e piktores meksikane Frida Kahlo vjen në Coventry të Britanisë së Madhe. Në qendër është ditari personal I Kahlos, ku vizitorët do të jenë në gjendje të njohin gruan dhe piktoren. Ekspozita mbërrin në MB pas prezantimit për publikun në Madrid, Spanjë.
Ekrani audio-vizual është i ndarë në tre pjesë, duke përfshirë artisten si personazh publik në vitet ’30 dhe ’40, origjina e familjes së saj në Meksikë, aksidenti me autobus në 1925 që pothuajse e paralizoi dhe marrëdhënia e saj me artistin Diego Rivera, shkruan Ora News.
Seksioni i tretë përqendrohet rreth Shtëpisë Blu në Meksikë ku Kahlo jetoi, punoi dhe vdiq, dhe vendin ku u pikturuan shumë nga veprat e saj më të famshme të artit.
Chris Michaels, i emëruar së fundmi drejtor i The Reel Store, shprehet:
“Ne jemi të sigurt se ekspozita jo vetëm që do të përcjellë një pamje të paharrueshme prekëse të historisë ikonike të Kahlo-s, por gjithashtu do të sjellë në jetë mendimet, emocionet dhe veprat e saj artistike.”
Ekspozita ka fituar tashmë tre çmime të mëdha ndërkombëtare, sipas organizatorëve. Veprat e piktores do të shfaqen në “The Reel Store” midis 25 nëntorit dhe 29 janarit të vitit të ardhshëm./Katror.info