Elon Musk ka parashikuar një të ardhme ku paratë dhe puna nuk do të kenë më rëndësi, falë avancimit të inteligjencës artificiale dhe robotikës. Duke folur në Forumin e Investimeve SHBA–Arabia Saudite, Musk deklaroi se teknologjitë e reja do të transformojnë shoqërinë deri në atë pikë sa puna të bëhet “opsionale”.
Sipas tij, robotët si Optimus — projekti ambicioz i Teslës — do të jenë çelësi për eliminimin e varfërisë dhe për krijimin e një bote ku secili mund të ketë akses në shërbimet dhe produktet që dëshiron. “Në një skenar pozitiv, do të kemi një të ardhur universale të lartë,” tha Musk, duke theksuar se kjo do të jetë më shumë se një pagesë bazike universale, shkruan BI, transmeton Katror.info.
Ai shtoi se, pavarësisht bollëkut që mund të krijohet, kufizimet fizike si energjia dhe materiali do të mbeten faktorë realë, por “monedha do të bëhet e parëndësishme”. Musk e krahasoi këtë të ardhme me universin e “Culture” të autorit Iain Banks, një vizion i utopive teknologjike të përshkruara në letërsi.
Edhe puna, sipas tij, do të marrë një tjetër kuptim. “Do të jetë si të merresh me kopshtari,” u shpreh Musk. “Nuk është e domosdoshme, por disa e bëjnë sepse e pëlqejnë.”
Në një bisedë të mëhershme me Joe Rogan, Musk kishte theksuar se qeveritë do të duhet të shpërndajnë një të ardhur të lartë universale kur robotët të marrin përsipër të gjitha punët.
Në fund të diskutimit, Musk bëri edhe një batutë me bashkëpanelistin e tij, CEO-n e Nvidia-s, Jensen Huang, duke përmendur se kompania do të publikonte rezultatet tremujore atë ditë. “Meqë monedha është e parëndësishme…,” tha me humor Huang, ndërsa të dy ngritën shishet e ujit në shenjë toasti. /Katror.info
Burimi: Business Insider
Përktheu dhe përshtati: Katror.info

















