Në deklaratën e ditës së mërkurë, Elon Musku ka thënë se po planifikon ta reduktojë kohën e tij në Twitter dhe se eventualisht mund të caktojë një lider që ta udhëheq kompaninë e rrjetit social si dhe po shpreson që ta kompletojë riorganizimin e kompanisë këtë javë, raportoi Reuters të mërkurën.
“Ka një shpërthim fillestar të aktivitetit të nevojshëm pas blerjes, për të riorganizuar kompaninë. Por më pas pres të reduktoj kohën time në Twitter”, ka thënë Musku në deklaratën e tij.
Musk i bëri këto komente ndërsa dëshmonte në një gjykatë në Delaware për t’u mbrojtur kundër pretendimeve se paketa e tij e pagave prej 56 miliardë dollarësh në Tesla bazohej në objektivat e performancës së lehtë për t’u arritur, dhe ishte miratuar nga një bord drejtorësh.
Investitorët e Teslas kanë qenë gjithnjë e më të shqetësuar për kohën që Musku po i kushton kthimit në Twitter. Ndërkaq, aksionet e Tesla ranë për 3 për qind.
Njeriu më i pasur në botë po ashtu ka thënë se disa inxhinierë të Teslas kanë asistuar në zhvillimin e ekipit inxhinierik të Twitterit, mirëpo kjo sipas tij është bërë në baza vullnetare.
Dy javët e para të miliarderit në Twitter janë shënuar me ndryshime të shpejta në kompani dhe krijim të kaosit.
Ai ka larguar nga puna shefin ekzekutiv të Twitterit dhe zyrtarë të tjerë drejtues e më pas ka larguar nga puna edhe shumë punëtorë./Katror.info