Xhudistja kosovare Enise Zijade ka siguruar një vend në gjysmëfinale të Festivalit Evropian të të Rinjve (EYOF) që po mbahet në Shkup, duke u bërë shpresa e parë për medalje për ekipin e Kosovës në këtë edicion, shkruan Katror.info.
Zijade, e cila garon në kategorinë deri në 57 kilogramë, ka shënuar tri fitore të rëndësishme dhe tash ndodhet vetëm një fitore larg sigurimit të medaljes së parë për Kosovën në EYOF Shkup 2025.
Përkrahje të fortë për garueset po japin edhe përfaqësuesit më të lartë të Komitetit Olimpik të Kosovës. Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, dhe nënpresidenti Milaim Kelmendi po ndjekin nga afër garat në Shkup, së bashku me medalisten e dyfishtë olimpike, Distria Krasniqi, e cila është edhe anëtare e Bordit Ekzekutiv të KOK-ut.
Federata e Xhudos së Kosovës ka uruar Enisen për suksesin e arritur dhe i ka dëshiruar fat në përballjen e radhës. “Forca Enise!”, thuhet në njoftimin e tyre zyrtar./Katror.info