Me pikëllim të thellë, Teatri Kombëtar i Kosovës njofton ndarjen nga jeta të aktorit dhe profesorit të shquar, Enver Petrovci. Një figurë ikonë e skenës dhe kinemasë kosovare, Petrovci la pas një trashëgimi të pasur artistike dhe pedagogjike, duke frymëzuar breza të tërë aktorësh dhe artistësh.
I lindur më 28 shkurt 1954 në Prishtinë, Petrovci filloi udhëtimin e tij në botën e artit në Shkollën e Lartë Pedagogjike, ndërsa studimet e mëtejshme në Fakultetin e Arteve Dramatike të Universitetit të Beogradit i hapën rrugën një karriere të jashtëzakonshme në teatër dhe film. Me interpretimet e tij të paharrueshme në vepra të Shekspirit si “Hamleti”, “Macbeth” dhe “Julius Caesar”, ai u bë një nga emrat më të respektuar të skenës kosovare.
Përveç kontributeve në teatër, Petrovci u shqua edhe në ekranin e madh dhe atë të vogël, duke marrë pjesë në filma dhe seriale të njohura si “O sa mirë”, “Sekretet”, “Anatema” dhe “Nekrologji”. Për dekada të tëra, ai nuk ishte vetëm aktor, por edhe një mentor i palodhur, duke dhënë mësim në Universitetin e Prishtinës dhe duke formuar breza të rinj të artistëve të skenës.
Teatri Kombëtar i Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve, miqve dhe gjithë publikut që e ka çmuar dhe dashur veprën e tij. Informacionet lidhur me ceremoninë e varrimit dhe mbledhjen komemorative do të bëhen të ditura në ditët në vijim.
Trashëgimia e Enver Petrovcit do të mbetet një burim frymëzimi për gjithë komunitetin artistik dhe për publikun që e ka ndjekur dhe vlerësuar talentin e tij të jashtëzakonshëm./Katror.info