Spanja regjistroi ditën më të nxehtë të dhjetorit në histori – temperaturat u rritën në 29.9 gradë Celsius të martën në Malaga, 27 në Valencia dhe 24 në Alicante, raporton Daily Mail. Temperatura e detit në Malaga të enjten në mëngjes ishte 17.09°C, që është më e lartë se temperatura mesatare për këtë periudhë të vitit prej 16.7°C.
Plazhet në të gjithë vendin janë ende plot me turistë, vendpushimet e skive në të njejtën kohë po shtyjnë fillimin e sezonit dhe Katalonia madje planifikon furnizimin me ujë me anije për të përballuar thatësirën e madhe.
– Do të duhet të marrim masa drastike dhe planifikojmë të shpallim gjendjen e jashtëzakonshme në janar. Janë duke u bërë plane për të dërguar midis 20,000 dhe 30,000 hektolitra ujë në zonën metropolitane të Barcelonës – u tha nga autoritetet.
Për të shmangur probleme edhe më të mëdha, përdorimi i konsiderueshëm i ujit në bujqësi dhe turizëm do të kufizohet, madje qeveria katalanase po shqyrton mundësinë e ndëshkimit të turistëve që pinë shumë ujë.

Në vendpushimin e njohur të skijimit Navacerrada pranë Madridit, vizitorët po ankohen për mungesën e borës.
– Ndjenja është e frikshme. E gjithë kjo pjesë do të duhej të ishte e mbuluar me borë ose të jetë e ngrirë, por siç e shihni, është e gjelbër dhe e harlisur për këtë periudhë të vitit – tha Tania, një biologe detare 32-vjeçare.
– Kjo është një nga masat ajrore më të ngrohta që ka kaluar ndonjëherë mbi Spanjë në dhjetor. Përveç vapës së pazakontë, deri në fund të shkurtit parashikohen reshje të rralla, gjë që tregon se nuk do të kemi një sezon shumë të mirë për sportet dimërore që varen nga bora e bollshme, e cila pasi shkrihet është burimi kryesor i ujit në muajt e pranverës dhe verës – tha Ruben del Campo, zëdhënës i agjencisë kombëtare meteorologjike AEMET.
– Kjo ka kaluar shumë rekordin e mëparshëm të Spanjës nga viti 2010, kur temperatura prej 29.4 gradë Celsius u regjistrua në Grenada, në rajonin jugor të Andaluzisë. Vërtet e pazakontë – shtoi kolegu i tij nga Malaga, Jesus Riesco.
Ndonëse janë mësuar me verat e nxehta, vitet e fundit spanjollët po regjistrojnë një numër në rritje të valëve të të nxehtit intensiv në stinët e tjera, gjë që ka shkaktuar alarm te shumë shkencëtarë. Sipas të dhënave të publikuara nga AEMET, frekuenca e tyre është trefishuar në 10 vitet e fundit, që sigurisht është rezultat i ndryshimeve klimatike. /Katror.info