Meta ka prezantuar një mjet të ri për krijuesit që quhet “content protection”, i cili mund të zbulojë automatikisht kur një video origjinale e krijuesit është ribotuar (ose pjesërisht ose plotësisht) në Facebook ose Instagram. Krijuesit që janë të regjistruar mund të shohin se cilat llogari kanë shpërndarë përmbajtjen e tyre dhe të ndërmarrin veprime: Me opsionin “track”, krijuesi mund të vendosë një etiketë që tregon qartë se videoja është origjinale nga llogaria e tyre.
Mund të monitorojnë numrin e shikimeve që videoja e ribotuar merr. Ka një opsion “block”, që lejon krijuesin të bllokojë plotësisht videon, pra askush tjetër nuk do ta shohë atë kopje. Sidoqoftë, Meta thotë se zgjedhja e kësaj nuk do të rezultojë domosdoshmërisht në sanksione shtesë për llogarinë që e ribotoi. Opsioni “release” heq videon nga tabloja e kontrollit të krijuesit, që do të thotë se krijuesi nuk ka më qasje për të parë performancën e asaj kopjeje, shkruan TAR.
Në panelin e kontrollit, krijuesit mund të shohin edhe nëse videoja që përdor përmbajtjen e tyre po monetizohet, gjë që mund të ndikojë në vendimin për t’ia vënë etiketën ose ta bllokojnë. Kjo veçori është e disponueshme për krijuesit që janë pjesë e programit të monetizimit të Meta-s dhe që plotësojnë disa kritere të integritetit dhe origjinalitetit. Meta thekson se ky mjet do të jetë më i aksesueshëm për shumë krijues sepse nuk është vetëm në platforma të veçanta për menaxhim të të drejtave, por do të jetë i disponueshëm direkt në aplikacionin e Facebook-ut.
Instagram po teston një funksion të ri që u jep përdoruesve më shumë kontroll mbi përmbajtjen që shfaqet në “feed”-in e tyre. Opsioni i ri u mundëson përdoruesve të zgjedhin temat që i interesojnë dhe të heqin ato që duan t’i shohin më rrallë. Sipas një postimi të drejtorit të Instagram-it, Adam Mosseri, synimi është t’u ofrohet përdoruesve “më shumë kontroll mbi përvojën e tyre personale” dhe të bëhet “feed”-i më i përshtatshëm.
Kjo risi vjen vetëm disa ditë pasi platforma prezantoi historikun e shikimeve të videove Reels (Watch History). Algoritmi i Instagram-it në masë të madhe përcakton çfarë shohin përdoruesit, ndaj kjo ndryshim do të mundësojë rregullim më të saktë të përmbajtjes sipas interesave të tyre. Kjo mund të çojë në “feed”-e më të personalizuara dhe të zvogëlojë shfaqjen e temave që nuk i interesojnë përdoruesve. /Katror.info











