Faton Macula në një intervistë për ABC News.al ka thënë se arriti të hynte në shkollën ku hynin vetëm tre të huaj nga gjithë bota, dhe sot ai është pjesë e skenave “mbretërore” të “Jazz”.
Ai gjithashtu ka treguar që në moshën 8-vjeçare ka qenë i apasionuar pas muzikës, ndërsa Jazz i mori zemrën që në moshën 12-vjeçare.
Po ashtu, Macula bëri të ditur se ka pasur bashkëpunime edhe me Marc Anthony, Missy Elliot e Mary J Blige.
“Marc Anthony ka qenë dera e parë që m’i ka hapur dyertë në Pop Scene (skenën e muzikës Pop)”, ka thënë Macula në një intervistë me ABC News.
Macula rrëfeu se zhanrin e Jazz e ka edhe të ndikuar nga babai, pasi ai ishte i apasionuar pas kësaj rrymë dhe se në familjen e tij në Mitrovicë, dëgjohej kjo rrymë muzikore.
Ai tregon se si është përgatitur për këtë audicion dhe tregon se kur shokët dhe shoqet e tij dilnin, atij i duhej të ushtronte që të përgatitej për audicion.
Ai po ashtu flet edhe për personat të cilët e inspironin dhe ndër ta ishte edhe Mark Wickfield, të cilit ia kishte treguar albumin demo që e kishte regjistruar si 18 vjeçar në marrëveshje me një studio muzikore të Jazz-it, në Graz të Austrisë e që atëherë kishte filluar rrugëtimi i tij në Evropë e mandej edhe në Amerikë.
Pavarësisht bashkëpunimeve me artistë të muzikës Pop, Macula ka zgjedhur muzikën Jazz për të vazhduar tutje. Ai thotë se ka qenë adhurues i muzikës së mirë gjithnjë pavarësisht zhanrit.
“Unë gjithmonë e kam adhuru muzikën e mirë, s’do me thënë që është kanë Pop, por muzikën e mirë e kam adhuruar, por dashuria ime e parë ka qenë Jazz-i”, është shprehur ai.
Ai ka thënë po ashtu se ka bashkëpunuar edhe me artista shqiptarë e ndër ta është edhe Dafina Zeqiri./Katror.info