Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka shpallur hapjen e konkursit për organizimin e Superkupës së Kosovës për femra, një nga ngjarjet më të rëndësishme të basketbollit femëror në vend.
Turneu do të zhvillohet nga 2 deri më 6 dhjetor 2025, duke ofruar pesë ditë emocion, konkurrencë dhe sport elitar. Në këtë edicion do të marrin pjesë 6 skuadra: Bashkimi, Prishtina, Peja 03, Penza, United Basketball dhe Junior 06, të cilat do të luftojnë për trofeun e radhës të Superkupës.
Kush mund të aplikojë?
Të drejtë aplikimi kanë të gjithë personat juridikë që plotësojnë kushtet e përcaktuara nga FBK dhe udhëzimet zyrtare për organizimin e Superkupës. Kandidatët duhet të përmbushin kriteret e mëposhtme:
- Të mos kenë obligime të papaguara ndaj FBK-së
- Të sigurojnë palestër dhe kushte teknike sipas rregullave të FIBA-s dhe akteve normative të FBK-së
- Të respektojnë udhëzuesin e marketingut për palestër dhe transmetimet televizive
- Të garantojnë sigurinë e ndeshjeve, duke siguruar prezencë adekuate të policisë dhe sigurimit privat
- Të nënshkruajnë kontratë me FBK-në, ku përcaktohen detajet organizative dhe të drejtat e palëve
Në rast se më shumë se një aplikant plotëson të gjitha kriteret, kriteri financiar do të ketë përparësi./Katror.info











