Festivali ndërkombëtar i artit dhe aktivizmit feminist, FemArt, vazhdon fuqishëm në ditën e pestë të edicionit të tij të 13-të, duke ofruar një program të pasur që shpalos trupin si narrativë, eksploron të vërtetën përmes dokumentarit dhe sjell në skenë teatrin që sfidon historinë dhe realitetin, shkruan Katror.info.
Kjo ditë përfaqëson një udhëtim emocional dhe artistik, ku publiku ka mundësinë të përjetojë forma të ndryshme të shprehjes artistike, nga punëtoritë kreative, deri te dy shfaqje teatrore nga Italia, Kosova dhe Serbia, të cilat trajtojnë tema të thella dhe sfiduese. Në qendër të vëmendjes është trupi si mjet rrëfimi, një qasje që e bën artin më të prekshëm dhe personal.
Programi përfshin gjithashtu projektime filmash dokumentarë, që synojnë të nxjerrin në pah realitete të fshehura dhe zëra të margjinalizuar, duke ndërtuar ura kuptimi përmes artit.
Mbrëmja do të kulmojë me një ndejë energjike muzikore nën ritmet e DJ-ve të njohur Olt Topalli dhe Egla, duke shndërruar Prishtinën në një hapësirë ku arti, muzika dhe aktivizmi gërshetohen natyrshëm.
Të gjitha aktivitetet do të zhvillohen në hapësira të ndryshme kulturore në Prishtinë./Katror.info