Afërdita Bytyqi, një blegtore nga Nishori i Suharekës, e nisi biznesin e saj me një kokë gjedhi që ia dhuruan, ndërsa sot ajo ka arritur të rrisë tufën e lopëve në 14, prej tyre gjashtë lopë qumështore dhe tetë të tjera për majmëri.
Ajo është e kënaqur me vetëpunësimin e saj dhe të familjarëve, ndërsa thotë se mjaftueshëm i siguron të ardhura familjes. Pret më shumë mbështetje nga institucionet.
Blegtoria tradicionale është puna që ka zgjuar interesim te fermerja Afërdita Bytyqi nga Nishori i Suharekës. Biznesin e vogël familjar ajo e nisi me një lopë qumështore para 9 vitesh.
“Djalit ja ka falë prindi lopën me gjithë viç, prej asaj u rritën, vjetat për majmëri i shitëm e kemi arrit deri këtu, vitet e para nuk kam pas mbështetje nga komuna se nuk kam ditë ku me shkua m’u lajmua, vitet e fundit po, faleminderit prej tyre na kanë ndihmua mirë”, tha fermerja Bytyqi.
Kërkesat për qumështin dhe produktet e tjera u rritën, thotë Afërdita, duke shpresuar që ta shtojë numrin e bagëtive, nëse mund t`i përmirësojë kushtet dhe hapësirën në stallë.
“Janë lopë që dalin në fushë, hanë bio, nuk ju qes sene tjera e koncentrate përveç bio, gjithë verën lëshohen deri të vjen dimri, mirë janë kërkesat, djathë, gjizë, tambël. Mendoj me shtua akoma, me zgjerua stallën“, shtoi Bytyqi.
Si çdo punë tjetër, edhe blegtoria ka sfidat e saj. Sigurimi i ushqimit të kafshëve është i vështirë në Nishor.
“Duhet ushqimin me ja përgatitë për krejt dimrin, bukur vështirë me ba, veç ajo është më së shumti zor, me pru deri në oborr ushqimin se për në stallë nuk është vështirë, ja dalim“, tha Bytyqi për RTK.
Drejtori i Bujqësisë në Suharekë, Mensur Selimaj, thotë se në fokus për ndihmë janë gratë fermere në Suharekë, ndërsa kanë një marrëveshje me një shoqatë “Mështjerra” që u sjell donacion.
“Në fund të bisedimeve që kemi pas na i kanë ofruar plus 10 krerë lopë, kështu që fokusi ynë është te gratë, me i mbështetë e me qenë gjithmonë afër tyre, për nevojat dhe kërkesat që ato i kanë“, tha Selimaj./Katror.info
Afërdita, me familjen tetë anëtarësh, kujdeset për gjashtë lopë qumështore dhe tetë viça për majmëri.