Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) përmes një njoftimi zyrtar ka bërë të ditur se nesër (e shtunë) do të bëhet prezantimi i përzgjedhësit të ri të Kosovës, i cili do të jetë gjermani Franco Foda.
Foda gjatë karrierës së tij menaxheriale ka udhëhequr disa klube të njohura si Kaiserslautern, Sturm Graz, Zurich si dhe kombëtaren e Austrisë.
57-vjeçari do të ulet në stolin e “Dardanëve” duke zënë vendin e sllovenit Primozh Gliha, i cili u largua nga Kosova pas përfundimit të ciklit kualifikues për Euro 2024.
Prezantimi i trajnerit të ri siç thuhet më tutje në njoftimin e Federatës, do të bëhet në hotel “Emerald” me fillim nga ora 14:00.
Franco Foda ka nënshtetësi gjermane, por me rrënjë nga babai është italian, ndërsa ka lindur në Mainz më 23 prill 1966.
Si futbollist ka pasur një karrierë të spikatur duke luajtur për klube në Gjermani, Austri dhe Zvicër, ndërsa ka luajtur në pozitën e mbrojtësit, shkruan Telegrafi.
Kaiserslautern, Arminia Bielefeld, Bayer Leverkusen, VfB Stuttgart, Basel dhe Sturm Graz ishin klubet që ai ka luajtur. Me Kombëtaren e Gjermanisë ai kishte dy paraqitje, kur u ftua sa ishte futbollit në Kaiserslautern.
Si futbollist ai e ka fituar Kupën e Gjermanisë me Kaiserslautern (1990) dhe Bayer Leverkusen (1993).
Në futbollin austriak me Sturm Graz ka fituar gjithçka që fitohet, ku spikasin titujt e kampionit në sezonet 1997/98 dhe 1998/99.
Sa i përket zejes së trajnerit, 57-vjeçari e ka nisur në klubin ku e mbylli karrierën si futbollist te Sturm, ku nga grupmoshat shkoi deri tek ekipi i parë, duke qëndruar te ky ambient për 10 vite.
Foda si trajner ka fituar titullin e kampionit në sezonin 2010/11, ndërsa Kupën e Austrisë një vit më herët në sezonin 2009/2010.
Pas Sturm ai ishte trajner te Kaiserslautern për një sezon duke u kthyer në Sturm ku qëndroi për katër vite tjera. Ai drejtoi Kombëtaren e Austrisë për katër vite, ku e kishte dërguar një herë në Kampionatin Evropian, duke e futur në mesin e 16-të më të mirave.
Pas kësaj avanture, një periudhë ai ishte për disa muaj te Zurich, ku u shkarkua.
Formacioni dhe loja që preferon
Foda preferon rreshtimet 3-4-2-1, 4-4-1-1 dhe 4-2-3-1, ndërsa njihet si adaptues i mirë i formacioneve me lojtarët që ka në dispozicion.
Ai këtë gjë kishte arritur ta bënte me Austrinë, kur luante me formacionin 4-2-3-1, ku arriti të shkonte në mesin e 16-të më të mirave për t’u eliminuar pastaj nga Italia që e fitoi turneun, me një ndeshje të ngushtë që u mbyll 2-1.
Loja e Fodas bazohet në posedim të topit, ku në Euro 2020 kishin një mesatare prej 59.6%. Po ashtu skuadra e tij ishte e treta me vlerën më të lartë të intensitetit, ndërsa kishte statistika të mira në duele, ndërhyrje dhe ndërprerjet, pas Italisë dhe Zvicrës.
Statistikat më lartë tregojnë se Foda dëshiron të luajë një stil aktiv dhe dominues të futbollit./Katror.info