Sonte nga ora 19:30, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, Orkestra dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës, së bashku me Korin e Operës së Kosovës, do të ngjiten në skenë për një koncert të veçantë nën drejtimin e dirigjentit italian Jacopo Sipari di Pescasseroli.
Ngjarja organizohet në bashkëpunim me Fondacionin “Domenico Bartolucci”, me mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe Ambasadës së Kosovës në Romë. Ky koncert i rëndësishëm shërben si hyrje për prezantimin që Filarmonia do të mbajë më 23 nëntor në Romë, në kuadër të aktiviteteve të Jubileut në Vatikan.
Publiku i Prishtinës do të ketë mundësinë të dëgjojë interpretimin e oratoriumit “La Tempesta sul Lago” të kompozitorit Domenico Bartolucci, një vepër madhështore për solistë, kor dhe orkestër.
Në skenë do të paraqiten solistë të njohur ndërkombëtarë: sopranoja Besa Llugiqi nga Kosova, mezzosopranoja Ivana Hoxha nga Shqipëria, tenori portugalez Carlos Cardoso dhe basi italian Biagio Pizzuti. Përgatitja e koreve është realizuar nga dirigjenti Hajrullah Syla.
Pas koncertit të sonte në Prishtinë, i njëjti program do të interpretohet edhe në Romë, në Bazilikën Santa Maria in Aracoeli, duke shënuar rikthimin e Filharmonisë së Kosovës me të dy njësitë e saj në Vatikan pas gati një dekade./Katror.info











