Pas fitoreve të njëpasnjëshme, ‘Si e verdhë e sëmurë’ nga Norika Sefa fiton edhe çmimin “Dokumentari më i mirë i shkurtë” në festivalin e rëndësishëm të Sarajevës, ka njoftuar Qendra KInematografike e Kosovës.
Juria e përbërë nga Mandy Chang, Marek Hovorka, dhe Wang Xiaoshuai, kanë ndarë 4 çmime nga gjithsej 21 filma në kategorinë e dokumentarëve.
Filmi është një zhytje në kujtesën e Norës, ku realitetet shkrihen, e keqja dhe e bukura ndërthuren derisa të gjitha përzihen dhe formohet diçka tjetër.
“Si e verdhë e sëmurë” (23′) është realizuar me mbështetjen e QKK-së, prodhuar nga shtëpia filmike CMB, me producent Mentor Shalën e bashkëproducent Besnik Krapin e Norika Sefën, dhe distribuohet nga Square Eyes.
Filmi i fundit i Norikës, “Si e verdhë e sëmurë,” pati premierën edhe në Dokufest. Regjisorja e përshkruan filmin si një “rikonstruktim i kujtimeve familjare të nxjerra nga kasetat e vjetra.” Kur u pyet në podcast-in e Suzanne’s Substack për rëndësinë e këtyre kasetave, Norika shpjegoi: “Kam pasë shumë xhirime në video kaseta. Ishte shumë e rëndësishme për mua me i’u kthy atyre dhe me i shiku ato tani, në këtë moshë.“
Norika është një regjisore pjesë e një vale të re krijuesish që kanë marrë hov në vitet e fundit. Filmi i saj artistik “Në kërkim të Venerës” fitoi çmimin special të jurisë në Festivalin e Roterdamit Ajo vazhdon të inspirojë me punën e saj, duke sjellë në jetë kujtime dhe emocione të thella përmes lenteve të kamerës së saj./Katror.info