Trepça nuk ka pasur probleme për të mposhtur Vëllaznimin e Gjakovës, duke fituar 105:85 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë të dielën mbrëma.
Edhe pse Vëllaznimi ka qenë ekipi vendas, ndeshja është zhvilluar në Mitrovicë për shkak të zënies së palestrës së Gjakovës gjatë numërimit të votave.
Mitrovicasit kanë krijuar epërsi prej pesëmbëdhjetë pikësh që në çerekun e parë dhe e kanë ruajtur dominimin deri në fund.
Te Trepça, më i dalluari ka qenë Batin Tuna me njëzet e katër pikë, dhjetë kërcime dhe gjashtë asistime, ndërsa Mustapha Amzil ka shtuar njëzet e dy pikë e shtatë kërcime. Te skuadra gjakovare, më i miri ka qenë Marques Warrick me nëntëmbëdhjetë pikë.
Në ndeshjet e tjera të xhiros së dytë, Bashkimi ka fituar vetëm në momentet vendimtare ndaj Rahovecit 029, 82:74, në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, pasi palestra “Sezai Surroi” në Prizren ende ishte e zënë nga KQZ-ja.
Pjesa e parë është mbyllur 50:44 për Bashkimin, ndërsa Rahoveci fitoi çerekun e tretë 16:14. Mysafirët kanë provuar të kthejnë rezultatin në fund, por nuk ia kanë dalë.
Te Bashkimi, statistikat më të mira i ka pasur Isaiah Cousins me tetëmbëdhjetë pikë, tetë kërcime dhe pesë asistime, ndërsa Lejson Zeqiri ka regjistruar shtatëmbëdhjetë pikë dhe dhjetë kërcime. Kontribut të madh ka dhënë edhe Jan Palokaj me gjashtëmbëdhjetë pikë, pesë kërcime dhe dy asistime.
Te Rahoveci 029, më i miri ka qenë Isiah Umipig me njëzet e shtatë pikë, dy kërcime dhe katër asistime.
Edhe Peja ka arritur të fitoj edhe ndaj Golden Eagle Yllit me rezultatin 76:71.
Për Yllin ishte disfata e dytë pasi edhe në xhiron e parë është mposhtur nga Sigal Prishtina.
Peja e ka nisur më mirë takimin duke e fituar çerekun e parë me rezultatin 21:13.
Ylli është kthyer duke e fituar bindshëm çerekun e dytë 27:14 dhe kështu pjesa e parë është mbyllur me rezultatin 40:35.
Dy çerekët e fundit i ka fituar Peja me rezultatet 23:19 dhe 18:12.
Alan Herndon është dalluar te Peja me trembëdhjetë pikë dhe dhjetë asistime. Lojë të mirë ka pasur edhe Malcolm Armstead i cili ka shtuar tetëmbëdhjetë pikë, tri kërcime dhe shtatë asistime, shkruan RTKlive.
Te Ylli është veçuar Brandon Huffman me pesëmbëdhjetë pikë dhe nëntë kërcime./Katror.info