Flutura Kusari, juriste e të drejtës së medias, është nderuar nga presidenti federal gjerman Frank-Walter Steinmeier me Urdhrin e Meritës së Republikës Federale të Gjermanisë në klasën e Kryqit të Meritave. Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për media, sipas të cilës ky nderim i bëhet Kusarit si mirënjohje për kontributin e saj për lirinë e mediave, demokracinë dhe shoqërinë civile në Kosovë dhe më gjerë, njofton Kallxo.com.
“Simboli i Urdhrit i është dorëzuar Dr. Kusarit nga ambasadori Rohde sot në rezidencën e tij në Prishtinë. Ceremonia u përshëndet nga ish-presidentja Atifete Jahjaga, deputetja e Parlamentit Evropian Viola von Cramon dhe një gamë e gjerë personalitetesh kosovare duke përfshirë deputetë dhe shoqëri civile. Dr. Flutura Kusari është shtetasja e parë kosovare që merr Urdhrin e Meritës të Republikës Federale të Gjermanisë”, thuhet në komunikatë.
Në komunikatë thuhet se Flutura Kusari njihet gjerësisht si një nga aktivistet më me ndikim të politikave mediatike në Kosovë, duke u vendosur si një figurë udhëheqëse në shoqërinë civile.
“Mbrojtja e saj e palodhshme përfshin mbrojtjen e lirisë së shtypit nga ndërhyrjet politike, sulmet verbale dhe fizike ndaj gazetarëve dhe rastet e Padive Strategjike kundër Pjesëmarrjes Publike (SLAPP). Kritikat konstruktive dhe qasja proaktive e Dr. Kusarit i kanë dhënë asaj reputacionin e të qenit një forcë shtytëse për llogaridhënie brenda qeverisë”, theksohet në komunikatë.
Në vlerësim të përkushtimit të saj të jashtëzakonshëm në promovimin e lirisë së shtypit, demokracisë dhe marrëdhënieve gjermano-kosovare, presidenti Walter Steinmeier ka vendosur të dekorojë Flutura Kusarin me Urdhrin e Meritave të Republikës Federale të Gjermanisë./Katror.info