Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka shpallur listën e futbollistëve për dy ndeshjet e radhës në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026, ndaj Sllovenisë dhe Suedisë.
Në këtë grumbullim janë ftuar 27 futbollistë, ndërsa në listën rezervë figurojnë edhe 9 emra të tjerë. Pjesë e listës janë edhe Edon Zhegrova e Milot Rashica, të cilët munguan në grumbullimin e kaluar, si dhe prurja e re Albian Hajdari, por mungon kapiteni Amir Rrahmani, i cili është jashtë fushave për shkak të një lëndimi.
Dardanët do të nisin grumbullimin të hënën, më 6 tetor, me stërvitjen e parë që zhvillohet në orën 17:00 në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali. Në të njëjtën ditë, në orën 12:00, Foda do të mbajë konferencën për media.
Kosova do të përballet me Slloveninë më 10 tetor, në orën 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa më 13 tetor, po në orën 20:45, do të luajë në Goteborg kundër Suedisë, ndeshje të cilat transmetohen drejtpërdrejt në RTK.
Pas dy ndeshjeve të para, Kosova renditet në pozitën e dytë të Grupit B me 3 pikë, derisa Zvicra kryeson me 6 pikë, ndërsa Suedia dhe Sllovenia kanë nga një pikë. /RTK/Katror.info