Zëvendëskomandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjeneral major Enver Cikaqi, ka marrë pjesë në takimin e organizuar nga e dërguara speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, znj. Karen Pierce, me udhëheqësit ushtarakë të Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Takimi është zhvilluar në një anije të Forcave Detare Britanike dhe ka pasur në fokus forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe rolin e iniciativave të përbashkëta në përballimin e sfidave të sigurisë në rajon.
Gjatë diskutimeve është theksuar rëndësia e koordinimit të ngushtë ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor në kontekstin e zhvillimeve aktuale të sigurisë, përfshirë ndikimin e agresionit rus në Ukrainë dhe menaxhimin e emergjencave që prekin rajonin.
Në përfundim të takimit, pjesëmarrësit u pajtuan se mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar dhe ndërmarrja e hapave konkretë në kuadër të iniciativave rajonale janë thelbësore për avancimin e bashkëpunimit dhe ndërtimin e një Ballkani më të sigurt dhe më stabil./Katror.info











