EA Sports ka hequr pothuajse të gjithë katalogun e video lojërave FIFA nga dyqanet digjitale.
Shumica e video lojërave të FIFA-s janë hequr nga të gjitha dyqanet digjitale, duke përfshirë Steam, Epic Games Store, PlayStation Store, Microsoft Store dhe Nintendo eShop.
Ky “spastrim” përfshin të gjithë titujt kryesorë nga FIFA 14 deri në FIFA 23, ky i fundit u publikua vitin e kaluar. Megjithatë, duket se FIFA 22 dhe FIFA 23 mund të luhen ende në EA Play, gjë që kërkon një abonim.
Nëse shkoni në faqen zyrtare të FIFA 23, do të shihni një njoftim që videoloja është tani e disponueshme në EA Play, por kur klikoni për të shkuar dhe për ta blerë nga një prej dyqaneve digjitale, do të hapet një faqe e zbrazët, shkruan Katror.info.
Ndërkohë, Steam ka lëshuar një njoftim për largimin e lojës, por jo arsyet e vendimit.
“Me kërkesën e prodhuesit, EA SPORTS FIFA 23 nuk është e listuar në dyqanin Steam dhe nuk do të shfaqet në kërkim,” thuhet në deklaratë.
EA u nda me ekskluzivitetin e FIFA-s në vitin 2022, dhe si rezultat, FIFA 23 është e fundit në një seri titujsh të markës FIFA pas 30 vitesh bashkëpunim. Në të ardhmen, lojërat e futbollit të këtij krijuesi do të quhen EA Sports FC./Katror.info