Në Kosovë, futbolli është tradicionalisht një sport mashkullor. Por një brez i ri vajzash dëshiron ta ndryshojë këtë. Një fushatë e OKB-së e quajtur “16 ditë aktivizim kundër dhunës mbi baza gjinore” po i ndihmon ta bëjnë pikërisht këtë.
Futbollistja kosovare, Erjona Mehmeti, anëtare e klubit KVF Prishtina, shkon vazhdimisht në stërvitje, përkundër faktit se kushtet janë mjaft të këqija. Para disa viteve, vetëm meshkujt ishin ata që kishin mundësi të shfrytëzonin këtë infrastrukturë për stërvitje. Tani interesimi i vajzave për futboll është duke u rritur. Madje edhe Presidentja e Kosovës ka shprehur përkrahjen e saj, por kjo nuk nënkupton se situata është e favorshme.
“Besoj se vajzat tjera nuk do të kenë vullnetin e njejtë për të vazhduar, për shkak të kushteve për stërvitje. Ne mezi gjejmë kohë për të luajtur, kushtet brenda dhe jashtë zhveshtoreve janë katastrofale. Nuk ka tualete, shumë gjëra tjera elementare mungojnë”, thotë Mehmeti.
Futbolli i femrave në Kosovë ende është në fazën fillestare të lindjes, prandaj cdo ndihmë është e mirëseardhur. Dhe vajzat kanë një mbështetje nga Gjermania, ku vitin e ardhshëm do të zhvillohet Kampionati Evropian i Futbollit në konkurrencën e meshkujve.
“Në Kosovë njerëzit tradicionalisht janë konservator dhe ne dëshirojmë të shfrytëzojmë përkrahjen tonë për të dëshmuar se femrat mund të bëjnë cdo gjë, pëtfshirë këtu edhe të luajnë futboll, futbolli i femrave mund të përhapet, ashtu sic ndodhi në Gjermani para tre dekadave”, thotë ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Vajzat u inspiruan nga një seancë stërvitore, e udhëhequra nga futbollistja profesioniste që jeton në Berlin, Dania Barcelona, në kuadër të fushatës së OKB-së kundër dhunës mbi baza gjinore.
“Po mësojmë shumë gjëra, po na mëson për futbollin në Gjermani dhe kjo po na ndihmon mjaft”, thotë Mehmeti.
Eshtë ky një hap përpara për Erjonen për të jetësuar ëndrrën e saj për të përfaqësuar Kosovën. Videon e plotë të DW mund ta shihni këtu./Katror.info