Gazetari Nebi Qena është caktuar si menaxher i agjencisë së lajmeve Associated Press me seli në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Lajmin e ka bërë të ditur bashkëshortja e tij Garentina Kraja duke shpërndarë një storie në Instagram.
“Nebi Qena është menaxheri i ri i detyrave kombëtare të fundjavës. Nebiu ka qenë producent senior për Izraelin, Bregun Perëndimor dhe Gazën që nga viti 2015 dhe ka drejtuar dhe koordinuar mbulimin të një sërë historish të mëdha duke përfshirë pushtimin rus të Ukrainës vitin e kaluar”.
“Ai ka mbuluar konfliktin në Siri dhe Kosovë po ashtu, dhe njihet për qetësinë e tij nën presion në një profesion me stres të lartë. Nebi është një menaxher i mrekullueshëm i videove, veçanërisht në situatat e fundit të lajmeve, dhe ne jemi të ngazëllyer që ai t’i bashkohet operacionit të ShBA-së. Ai do të jetë i vendosur në Washington, D.C”, thuhet në njoftimin e Associated Press.
Nebi Qena e filloi karrierën si gazetar në të përditshmen kosovare Koha Ditore më 1997 për të cilën raportoi gjatë luftës në Kosovë.
Ishte drejtor i lajmeve dhe çështjeve aktuale në transmetuesin publik të Kosovës (RTK) ku gjithashtu ishte drejtues i një emisioni për çështje aktuale. U bashkua me Associated Press si korrespondent shumëdiciplinor më 2007 fillimisht në Kosovë dhe më pas përfshiu lajmet e fundit në Evropë dhe në Lindjen e Mesme, duke përfshirë luftën në Ukrainë dhe në Siri.
Deri tash ai ishte producent i lartë i AP në Jerusalem, i ngarkuar me operacionet televizive të agjencive në Izrael, Gaza dhe Bregun Perëndimor.
Qena mban një MA në Politikën dhe Menaxhimin e Kulturës nga Universiteti Warwick ku ai mori pjesë si një studiues Chevening. /Katror.info