Gerard Butler, Jason Momoa dhe Oscar Isaac luajnë në thrillerin e ardhshëm In the Hand of Dante, me regji të Julian Schnabel, fitues i Golden Globe për The Diving Bell and the Butterfly. Ndër producentët ekzekutiv të filmit është Martin Scorsese, raporton Deadline.
Filmi bazohet në romanin e Nick Tosches me të njëjtin emër të vitit 2002, në të cilin ndërthuren dy histori. Historia e parë ndjek studiuesin Nick, i cili thirret nga mafiozët për të identifikuar dorëshkrimin origjinal të Komedisë Hyjnore të Dantes. I pushtuar nga tundimi, Nick vjedh dorëshkrimin dhe nis një udhëtim metaforik drejt Ferrit me dashurinë e tij, Giulietta, shkruan Katror.info.
Historia e dytë përqendrohet tek vetë Dante Alighieri, i cili i burgosur në një martesë të pakënaqur dhe të rregulluar me Gemma Donatin, arratiset në Siçili dhe aty shkruan kryeveprën e tij në të cilën përjetësoi dashurinë e tij të humbur prej kohësh Beatrice.
Të drejtat për përshtatjen filmike të romanit fillimisht u blenë nga Johnny Depp, i cili gjithashtu duhej të luante personazhin kryesor, por në shtator të këtij viti, Depp u zëvendësua nga Oscar Isaac.
Për momentin nuk dihet se kur do të ketë premierën “In the Hand of Dante”, por prodhimi tashmë ka filluar në Itali. /Katror.info