Kultivimi i gështenjave po shihet si veprimtari mjaft fitimprurëse në rajonin e Dukagjinit. Kultivuesit dhe agronomët thonë se kultivimi i gështenjës autoktone në këtë rajon është më i madh se në rajone të tjera.
Ngritja e pemishteve të reja me gështenja, vitet e fundit, po shihet si veprimtari mjaft fitimprurëse edhe nga fermerët deçanas.
Beqir Mehmetaj nga Isniqi, në pemishten e tij të re, ka filluar edhe kultivimin e fidanëve të gështenjës, për të cilët, siç shprehet ai, interesimi i fermerëve për mbjelljen e tyre po rritet dita-ditës.
“Me ngritjen e saj kam pas pak problem sepse vitet e para janë pak me vështirësi mirëpo me këtë veprimtari jam i kënaqur sepse dita ditës ka filluar edhe interesimi për kultivimin e fidanëve të gështenjave vendore. Momentalisht i kam 12- 13 mijë fidanë të moshave të ndryshme, një, dy dhe tre vjeçare. Tash ka filluar edhe përkrahja nga institucionet; nga komuna dhe ministria me subvencione. Ministria kanë filluar edhe me grante sepse rritë interesimi për me i shtuar sipërfaqet me gështenja vendore”, tha ai.
Në rajonin e komunës së Deçanit, por edhe komunave tjera si ato të Junikut dhe Gjakovës, përparësitë për kultivimin e gështenjës autoktone janë shumë më të mëdha, thotë agronomi Bajram Çeku.
“Janë gështenja të cilat i pranon toka e komunës sonë por edhe ma gjanë, dmth, këto fidane ambientohen dhe kultivohen më mirë. është një mundësi e mirë edhe për komunat tjera. Tash jemi te një fidan ku është viti i katërt dhe po shihet se në çfarë frytëdhënie është, ky ka pas ujitje të kontrolluar. Dmth të gjitha fidanët parashihet që në vitin e tretë dhe të katërt të hyjnë në frytdhënie. Ndërsa frytdhënien e plotë e mërijnë varësisht prej kushteve të përgjithshme, ndërsa zakonisht në vitin 7 dhe 8 arrijnë frytdhënie të plotë”, tha ai.
Për të rezultuar e suksesshme një pemishte e re me rastin e mbjelljeve të fidanëve të rinj, Çeku thotë se është e domosdoshme që të bëhen analizat e tokës, në mënyrë që të shihet se çfarë përbërje disponon toka dhe çka i mungon./Katror.info