Nga 2 deri më 11 shtator, Fondacioni Rame Lahaj organizoi aktivitetin “Gjelat në Pentagram”, një program i dedikuar fëmijëve, si përfaqësuesit e së ardhmes, që përjetojnë botën me sinqeritet dhe zemër të hapur. Pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen me bukurinë e muzikës klasike në një përvojë të veçantë artistike, shkruan Katror.info.
Që nga themelimi i tij, Fondacioni Rame Lahaj ka pasur misionin e afërtimit të publikut me muzikën klasike dhe operistike, duke e bërë atë të qasshme jo vetëm në qytetet e mëdha, por edhe në komunitete ku arti shpesh nuk arrin. Përmes këtij programi, fëmijët patën mundësinë të dëgjojnë, ndjejnë dhe të rriten shpirtërisht përmes tingujve të muzikës klasike.
Në këtë udhëtim artistik morën pjesë edhe artistë nga Gjermania, përfshirë grupin PasParTout, narratoren Uresa dhe këngëtaren Anita Kerhani, të cilët krijuan momente të paharrueshme për audiencën e re.
Fondacioni falënderoi veçanërisht sponsorin gjeneral, Interex, për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e artit cilësor, si dhe institucionet e tjera dhe sponsorët që kontribuan në realizimin e platformës “Gjelat në Pentagram”./Katror.info