Sot shënohen 35 vjet nga ribashkimi i Gjermanisë – momenti kur Republika Federale e Gjermanisë (Gjermania Perëndimore) dhe Republika Demokratike Gjermane (Gjermania Lindore) u bënë një shtet i vetëm.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, aleatët perëndimorë – SHBA, Franca dhe Britania e Madhe – bashkuan zonat e tyre të administruara dhe në vitin 1949 u formua Republika Federale e Gjermanisë në perëndim. Paralelisht, në lindje, nën ndikimin e Bashkimit Sovjetik, u krijua Republika Demokratike Gjermane me sistem socialist.
Mungesa e zhvillimit ekonomik dhe shtypja politike çuan mijëra qytetarë të Gjermanisë Lindore të arratiseshin drejt perëndimit. Për ta ndaluar këtë valë arratisjesh, autoritetet lindore ndërtuan Murin e Berlinit në vitin 1961, i cili për dekada simbolizoi ndarjen e Europës.
Në vitet ’80, fryma e reformave dhe politikës së hapjes së Mikhail Gorbachevit preku edhe vendet e Bllokut Lindor. Në Gjermaninë Lindore shpërthyen protesta masive që sfiduan regjimin dhe më 9 nëntor 1989, muri u shemb – një nga ngjarjet më të fuqishme të shekullit XX.
Më 3 tetor 1990, pas më shumë se katër dekadash ndarje, dy Gjermanitë u bashkuan zyrtarisht, duke hapur kapitullin e një shteti të përbashkët demokratik dhe të fuqishëm./Katror.info