Një lagje krejt e re dhe e pa parë më herët po synohet të ndërtohet në Stokholm. Një kompani ndërtimi ka propozuar realizimin e një lagje e cila është tërësisht e ndërtuar nga druri. Madje përparësia më e madhe e saj është se projektohet për 15 minuta ecje në këmbë, transmeton Good News Network.
Duke përfshirë 25 blloqe, 30 ndërtesa masive të qëndrueshme prej druri do të shtojnë 7,000 zyra të reja dhe 2,000 shtëpi të reja. Ndërtimi planifikohet t filloj më 2025 dhe të përfundojnë më 2027.
I njohur si Stokholm Wood City, po cilësohet si një ristrukturim shumë i nevojshëm i peizazhit urban pasi shumica e njerëzve jetojnë në jug të qendrës historike, por shumica e zyrave janë në veri të qendrës historike.
Kompania përgjegjëse e zhvillimit quhet Atrium Ljungberg dhe cilësojnë se ky është një hap historik për inovacionin suedez.
“Nga qiramarrësit, ekziston një kërkesë e fortë për zgjidhje inovative dhe të qëndrueshme – një kërkesë që ne e përmbushim me këtë iniciativë.”
Ndërtimi prej druri i ndërtesave të mëdha erdhi në vitet ’90 me shpikjen e drurit të laminuar të kryqëzuar, i njohur si “druri masiv”. E përbërë nga pllaka të shumta druri të shkrira së bashku duke përdorur makineri të sofistikuara, druri masiv mund të përballonte ngarkesa dhe forca shumë më të mëdha. Aplikimet shtesë e bënë këtë lëndë druri të veçantë rezistente ndaj zjarrit. / Katror.info