Kampioni i Kosovës, ‘Golden Eagle Ylli’ shënoi fitore të madhe të mërkuren, duke mposhtur në udhëtim skuadrën gjermane ‘Brose Bamber’ me rezultat 78:81. Kjo ishte fitorja e parë për kampionët e Kosovës në grupet e FIBA Europe Cup, ndërsa humbja e parë për skuadrën gjermane.
KB Ylli e nisi ndeshjen shumë mirë, duke e fituar çerekun e parë 19:27, por në periudhën e dytë, gjermanët u rikthyen, duke aplikuar mbrojtje të fortë, ku skuadra nga Kosova shënoi vetëm nëntë pikë, ndërsa pjesa e parë përfundoi 39:36.
Në periudhën e tretë u zhvillua lojë tërësisht e barabartë, 24:24, duke bërë që fituesi në vendoset në dhjetë minutat e fundit. Golden Eagle Ylli nuk lëshoi pe dhe tregoi dëshirë të madhe për fitore, dhe arriti qëllimin për të triumfuar me rezultat 78:81.