Google ka nisur zyrtarisht zëvendësimin e Google Assistant me Gemini në pajisjet Google TV Streamer, duke shënuar hapin e radhës në integrimin e inteligjencës artificiale në platformat e saj.
Sipas kompanisë, ndryshimi do t’u mundësojë përdoruesve të ndërveprojnë më natyrshëm me televizorin përmes zërit, shkruan AP.
Për shembull, tani mund të kërkojnë rekomandime filmash me pyetje si: “Më pëlqejnë dramat, por gruas sime i pëlqejnë komeditë — çfarë filmi mund të shohim bashkë?”.
Gemini do të shërbejë jo vetëm për argëtim, por edhe për mësim dhe udhëzime praktike.

Përdoruesit mund të pyesin, për shembull, “Shpjego pse shpërthejnë vullkanet” apo të kërkojnë receta dhe projekte DIY në YouTube.
Për ta përdorur, mjafton shtypja e butonit të mikrofonit në telekomandë.
Përditësimi do të shpërndahet gjatë javëve të ardhshme për përdoruesit mbi 18 vjeç.
Ky zhvillim vjen pas njoftimit të shtatorit, kur Google prezantoi Gemini për televizorët TCL dhe njoftoi se do të zgjerohet në modelet Hisense dhe TCL 2025.
Aktualisht, Gemini është i qasshëm edhe në pajisjen Walmart Onn 4K Pro.
Ky hap është pjesë e strategjisë më të gjerë të kompanisë për të zëvendësuar Google Assistant me Gemini në të gjitha pajisjet dhe platformat e saj, një ndryshim që Google e kishte paralajmëruar në CES 2024. /Katror.info
















