Tenori Granit Musliu është vlerësuar me çmimin prestigjioz Kunstförderpreis 2025 në kategorinë e Artit Skenik, një ndër nderimet më të rëndësishme që akordohet nga Ministria e Kulturës së Bavarisë për artistët me arritje të spikatura dhe ndikim të qartë në skenën kulturore gjermane.
Çmimi iu dorëzua nën udhëheqjen e Ministrit të Shtetit për Kulturën të Bavarisë, Markus Blume. Musliu e ka quajtur këtë vlerësim një “nder të jashtëzakonshëm” dhe një vulosje të rrugëtimit të tij artistik që nga skena e Bayerische Staatsoper e deri te paraqitjet në Dresden, Hamburg, Kopenhagen, Lausanne, Sanxay dhe teatro të tjera të rëndësishme evropiane, përcjell Kultplus.
Ai u shpreh se ky çmim shënon një kapitull të ri dhe edhe më të fuqishëm në karrierën e tij, duke i dhënë shtysë të vazhdojë me guxim, pasion dhe vizion të palëkundur në skenat ndërkombëtare.
Një arritje e madhe për artistin dhe një moment krenarie për skenën kulturore shqiptare. /Katror.info











